Numri i degëve të sektorit bankar u ul në gjysmën e parë të vitit duke prekur shifrën më të ulët të 16 viteve të fundit.
Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, numri i degëve zbriti në 383, nga 396 që ishin në fund të vitit 2022 dhe 418 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në pjesën më të madhe, rënia e numrit të degëve gjatë vitit të kaluar dhe pjesës së parë të këtij viti i detyrohet bashkimit mes bankave OTP Albania dhe Alpha Bank, që solli si rezultat mbylljen e një pjese të degëve të tyre.
Në mesin e vitit të kaluar, OTP dhe Alpha kishin 75 degë të marra së bashku, ndërsa në mesin e këtij viti OTP kishte vetëm 49 degë. Nga 34 degë të Alpha Bank, 26 prej tyre u mbyllën.
Në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, edhe Credins Bank vendosi të mbyllte shtatë degë, ndërsa Tirana Bank mbylli dy të tilla. Ndërkohë, bankat e tjera nuk kanë pasur ndryshime në numrin e degëve aktive.
Numri i degëve dhe agjencive bankare arriti nivelin më të lartë në vitin 2012, me 556 degë dhe agjenci. Nga ai moment, numri i njësive bankare të shërbimit nisi të pakësohet.
Shqipëria ngelet një ndër vendet me numrin më të ulët të degëve bankare në raport me popullsinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në Europë.
Sipas të dhënave krahasuese të Bankës Botërore, për vitin 2021, Shqipëria kishte 18.6 degë dhe agjenci bankare për 100 mijë banorë.
Në rajon, nivelin më të lartë të këtij treguesi e kishte Bosnje-Hercegovina me 29.8 degë për 100 mijë banorë, e ndjekur nga Serbia me 26.4 degë për 100 mijë banorë, Mali i Zi, me 25.8 degë për 100 mijë banorë dhe Maqedonia e Veriut me 22.4 degë për 100 mijë banorë.
Me përjashtim të Kosovës dhe Shqipërisë, të gjitha vendet e tjera të rajonit kanë një numër degësh në raport me popullsinë më të larta se mesatarja e Bashkimit Europian, që për vitin 2021 ishte në nivelin 21.1 degë për 100 mijë banorë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




