Gazeta Si – Në një intervistë të fundit për ‘Radio Marca’ në Spanjë, trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, ka folur për eksperiencën në krye të kuqezinjve. Ai ka pohuar se objektivi është që Shqipëria të kualifikohet për në Euro 2024.
“Gjërat po na shkojnë mirë deri tani, kemi marrë rezultate të mira dhe shoh që ka shumë entuziazëm në skuadër për të ardhmen. Është ndryshe të drejtosh një ekip dhe ndryshe të drejtosh një kombëtare. Nga Tite kam mësuar shumë kur isha pjesë e stafit të Brazilit.

Ka shumë rëndësi të shkosh të takosh lojtarët në çdo moment. Janë detajet që kanë shumë rëndësi. Te Shqipëria kemi lojtarë shumë të mirë, të cilët luajnë në nivele të larta në Europë. Grupi është i vështirë, por objektivi ynë është që të kualifikohemi për në Europian”, – ka theksuar trajneri brazilian i Kombëtares.
Silvinjo ka evidentuar dëmtimet e Brojës dhe Kumbullës: “Mëkat që nuk kemi pasur Kumbullën dhe Brojën në ndeshjet e para, për shkak të dëmtimeve të tyre”. Kuqezinjtë kanë 6 pikë në grup pas 3 ndeshjeve të para dhe mbajnë vendin e dytë. Objektivi i Euro 2024 varet shumë nga ndeshjet e radhës me Çekinë dhe Poloninë, që luhen në shtator.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




