Gazeta Si – Moska ka thënë se një cisternë nafte ruse është dëmtuar nga një sulm ukrainas me dronë gjatë natës së 4 gushtit në Ngushticën e Kërçit, pranë një ure që e lidh Krimenë e aneksuar nga Moska me Rusinë.
Agjencia e lajmeve e Rusisë, TASS, e citoi Qendrën e Koordinimit të Shpëtimit Detar (QKSHD) të ketë thënë se është dëmtuar motori i cisternës ruse SIG nga një sulm ukrainas.
Sipas QKSHD, është duke u punuar për ta rimorkiuar anijen, pasi ajo nuk ka mundur të lëvizë vetë pas sulmit.
Kanalet ruse në Telegram raportuan fillimisht më 5 gusht se shpërthimet ndodhën në Ngushticën e Kerçit, duke e dëmtuar një cisternë nafte dhe duke e bllokuar përkohësisht trafikun mbi urë.
Ukraina nuk ka komentuar ende rreth këtyre lajmeve, të cilat nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur.
Cisterna e naftës SIG u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2019, për shkak se i kishte furnizuar forcat ruse në Siri me karburant për aeroplanë.
Ky incident ndodhi një ditë pasi një anije e Marinës ruse u dëmtuan rëndë në portin Novorossiisk nga një sulm me dronë, për të cilin përgjegjësinë e mori Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës (SHSU), si dhe dy ditë para bisedimeve ndërkombëtare për luftën në Ukrainë, të caktuar për të nisur më 5 gusht në Arabinë Saudite.
Në sulmin e 4 gushtit, një dron detar ukrainas, që barte 450 kilogramë eksploziv TNT, e goditi bazën e Marinës ruse në Novorossiisk, duke i shkaktuar dëme të mëdha një anijeje luftarake të Rusisë që ishte ankoruar aty, thanë burime të SHSU për Radion Evropa e Lirë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



