Ngjarje

Stuhia përfshin bregdetin, trafik i rënduar në Vlorë e Durrës. Apeli i policisë kufitare: Shmangni daljen në det me mjete lundruese

Një pjesë e mirë e vendit është përfshirë nga reshjet e shiut, pas ditëve të nxehta të kësaj vere.

Qyteti bregdetar i Vlorës dhe Durrësit janë përfshirë në stuhi shiu, ku pushuesit nuk kanë mundur të bëjnë plazh. Edhe ata që kanë preferuar të shkojnë herët, janë kthyer në shtëpitë e tyre.

Si pasojë ka pasur edhe trafik të rënduar.

Nisur nga situata meteorologjike që parashikohet për ditën e sotme, sipas së cilës pritet përkeqësim i motit dhe rritje e dallgëve në det, në përmasa të mëdha, të cilat mund të rrezikojnë jetën e pushuesve që lundrojnë me mjete turistike apo argëtuese, Policia Kufitare apelon:

“Për pushuesit që duan të lundrojnë përgjatë ditës së sotme, me mjete lundruese turistike apo argëtuese, t’i shmangin këto aktivitete pasi deti ka dallgë me përmasa të mëdha që mund të rrezikojnë seriozisht jetën e tyre.

Gjithashtu, Policia Kufitare apelon për të gjithë operatorët turistikë që përdorin mjete lundruese, të shmangin daljen në det përgjatë ditës së sotme, pasi situata meteorologjike është e pafavorshme dhe mund të rrezikojë jetën e drejtuesve të mjeteve lundruese dhe të shtetasve në bordet e mjeteve, si dhe fundosjen e këtyre mjeteve”.

Policia Kufitare e Vlorës dhe Njësia Policore Detare, përgjatë ditës së sotme, kanë kaluar në gatishmëri të plotë dhe do të jenë prezente me shërbime nga toka dhe deti, në funksion të rritjes së sigurisë së pushuesve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë