Para

Zhvlerësimi i euros dhe interesat e ulura të borxhit publik favorizojnë qeverinë

Nga Gazeta ‘SI’ – Zhvlerësimi i fortë i euros gjatë këtij viti, përveç dëmtimit të shumë palëve, disa i ka favorizuar, ndër të cilët, qeverinë.

Në raportin e sapopublikuar të ministrisë së Financave, tregohet se në tremujorin e dytë borxhi publik i jashtëm ndaj PBB-së ka rënë në normën më të ulët që nga 2015-a, 29.7%. Në vlerë, ky borxh është rritur. Rreth 80% e tij është në monedhën euro. Ndërsa borxhi i brendshëm është rritur lehtë, në 35%.

Në total, borxhi publik ndaj PBB-së raportohet 64.7% në fund të qershorit 2023, me një rritje të lehtë nga viti 2022, por ndjeshëm më i ulët se në vitin 2021, rreth 10%.

Gjithsesi në vlerë nominale, borxhi është rritur duke kapur 1.4 trilionë lekë, nga 1.37 që ishte në tremujorin e parë 2023. Kjo është vlera më e lartë e borxhit që ka pasur Shqipëria, të paktën 10 vitet e fundit. Gjatë tremujorit të dytë edhe PBB-ja është rritur, duke kapur 2.17 trilionë lekë nga 2.13 në tremujorin e parë.

Edhe interesat e borxhit kanë lëvizur po në favor të qeverisë, pothuajse të përgjysmuara nga një vit më parë. Interesi i borxhit gjatë dy tremujorëve të parë të këtij viti raportohet 1.47%. Pjesa më e madhe e borxhit është me interesa fikse, por një pjesë e konsiderueshme është me interesa të ndryshueshme.  Kështu në vitin 2023, për një borxh më të lartë, Shqipëria ka paguar 20.7 mln lekë, gjysma e vitit 2022.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë