Para

Paralajmërimi i ERRU 3 javë më parë: Ujësjellësit s’mbulojnë dot kostot, energjia e punonjësit ‘barra’ më e madhe

Artikulli është publikuar për herë të parë më 7 korrik 2023 nga Gazeta 'SI' referuar raportit të së njëjtës ditë nga ERRU

Nga Gazeta ‘SI’ – Ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve në Shqipëri gjatë vitit 2022 nuk kanë arritur të mbulojnë kostot e veta, operative dhe kapitale, përveç Tiranës, Dibrës dhe Librazhdit.

Raporti i fundit i Entit Rregullator i Ujit tregon se nga 58 shoqëri vetëm 13 gjenerojnë aq para sa mund të shlyejnë të paktën kostot operative, pjesa tjetër duhet t’i subvencionojë ose me financime nga jashtë.

Gjatë vitit 2022 qeveria qendrore, nëpërmjet AKUM ka shpërndarë 360 milion lekë subvencione, të cilat krahasuar me një vit më parë janë ulur me 20 milion lekë. Për këtë vit, subvencione kanë përfituar vetëm 12 shoqëritë UK Rajonale, të cilat kanë filluar procesin e riorganizimit, përkatësisht nga 30 milion lekë secila me përjashtim të shoqërive Rajonale UK Shkodër, Tiranë dhe Vlorë, të cilat nuk e kanë përfunduar akoma këtë proces.

Ndërkohë në total vetë UK-të kanë arkëtuar 10.3 mld lekë, duke u rritur me 303 mln nga viti 2021. Rritja e të ardhurave nga aktiviteti ka ardhur për arsye se vëllimi i ujit të faturuar për vitin 2022, krahasuar me vitin 2021 është rritur me 2.8 milion m3 ujë, si rezultat i rritjes me rreth 24 mijë lidhje të reja të furnizimit me ujë dhe 23 mijë lidhjeve me KUN si dhe për shkak të rritjes së orëve të furnizimit me ujë.

Shoqëritë që kanë rritjen më të madhe të të ardhurave në Grupin e parë janë UK Kavajë (+94.3 milion lekë), UK Durrës (+68.4 milion lekë), UK Kamëz (+27.2 milion lekë), UK Fier (+24.5 milion lekë), UK Sarandë (+21.3 milion lekë), UK Vlorë (+14.7 milion lekë), UK Tiranë (+12.7 milion lekë), UK Korçë (+9.8 milion lekë) dhe UK Elbasan (+ 4.3 milion lekë).

ERRU thekson se shoqëritë e ujësjellës-kanalizime rëndohen më së shumti nga kosto e energjisë dhe sigurisht kosto e punonjësve. Për vitin 2022, energjia ka zënë 34% të totalit të kostove për këtë sektor, duke u shtuar me 1.1 mld nga nëj vit më parë.

“Kostot e energjisë janë rritur ndjeshëm me 40% për shkak të krizës së energjisë elektrike e cila arriti kulmin e saj gjatë vitit 2022 ku çmimi për njësi i energjisë elektrike u rrit (nga 11.5 lekë/këh në 18.8 lekë/këh ) gjithashtu për UK-të që furnizohen me energji 35KV faturohen nga OSHEE me tarifa të liberalizuara të tregut. Ndikimin kryesor në rritjen e kostove të energjisë e ka dhënë UK Durrës i cili ka rritur kostot e energjisë me 551 milion lekë (63%) për arsyet e mësipërme. Rritje të kostove të energjisë elektrike kanë pasur edhe UK Vlorë (96 milion lekë) dhe UK Shkodër (77 milion lekë) dhe UK Tiranë (53 milion lekë). Duke qenë se 78% e shoqërive UK nuk arrijnë ti mbulojnë kostot operative me të ardhurat e faturuara, detyrimet e prapambetura që shoqëritë kanë ndaj OSHEE-së akumulohen çdo vit duke shtuar llogaritë e pagueshme edhe pse qeveria qendrore vazhdon të subvencionojë shoqëritë UK”, thuhet në raportin vjetor.

I njëjti raport thotë se UK-të kanë funksionuar me 7.815 punonjës në të gjithë vendin, pa llogaritur nënkontraktorët, duke u reduktuar me 101 punonjës nga 2021-shi, nga bashkimi i disa pikave UK sipas reformës së miratuar.

“Menaxhimi i burimeve njerëzore duhet të jetë prioritet për stafet menaxhuese të shoqërive UK pasi kostot e punës përbejnë peshën më të madhe në totalin e kostove O&M të sektorit, e cila për vitin 2022 zë 43% të tyre. Numri i stafit të punësuar duhet të jetë në përputhje me nevojat reale që kërkon zhvillimi i aktivitetit normal të shoqërisë”, thekson ERRU.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë