Kosova

KQZ-ja, e gatshme për zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të organizojnë sërish zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës, kurdo që i kërkohet nga institucionet përgjegjëse.

Zëdhënësi Valmir Elezi ka thënë se KQZ-ja si institucion i përhershëm kushtetues e ka për detyrë kryesore organizimin e zgjedhjeve kurdo që ato shpallen, prandaj edhe do të merret me të gjitha fazat e organizmit e implementimit të planit, raporton ‘Zëri’

Elezi shtoi se me këtë ata po përmbushin detyrat që dalin nga Kushtetuta e ligjet në fuqi.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si institucion i përhershëm kushtetues, e ka për detyrë kryesore organizimin e zgjedhjeve kurdo që ato shpallen”, tha Elezi për Ekonominë Online.

“Si çdoherë, ashtu siç kemi thënë edhe në të kaluarën, KQZ-ja është e gatshme për të përmbushur detyrat që dalin nga Kushtetuta dhe ligjet në fuqi”, sa kohë që Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka filluar procedurat për dorëheqjen e katër kryetarëve në komunat në veri.

Grupi i punës duhet të finalizojë Projekt-Udhëzimin Administrativ dhe të procedojë te zyra e sekretarit të përgjithshëm të MALP-së deri me datën 1 shtator të këtij viti.

Më 10 korrik Kosova ka arritur marrëveshje me BE-në për ulje të tensioneve dhe në të është përfshirë edhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhje nuk mund të ketë pa shtensionim të plotë të situatës në veri.

BE-ja ka bërë thirrje që zgjedhjet në veri të mbahen në një afat sa më të shkurtër kohor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë