Politike

Ina Zhupa: Për mandatin e Gjinushit u falsifikuan votat, SPAK të fillojë hetimet, Begaj të kthejë ligjin    

Deputetja e PD-së, Ina Zhupa, ka renditur 13 shkelje që sipas saj kanë ndodhur me miratimin e ligjit që i hap rrugë një mandati të dytë Skënder Gjinushit në krye te Akademisë së Shkencave.  Sipas saj, shkeljet kanë ndodhur që nga momenti i propozimit, deri në momentin e miratimit të këtij ligji

“...Votim nul me shumë anëtarë seç ka PS, 10 anëtar, morën pjesë në votim 11 anetarë. Siç mund ta shikoni PS ka 10 anëtar të përhershëm në Komisionin e Edukimit, por në çdo rast ata mund të zëvendësohen kur mungojnë nga kolegë zëvendësues. Por në çdo rast nuk mund të këtë 11 anëtar votues...Votim i falsifikuar sikur kishte kuorum 3/5 që siç shikohen nga video nuk e kishte.

Për ta çuar çmendurinë e saj deri në fund, arrihet deri aty, sa të falsifikohet sy më sy prezenca e opozitës në komision. Ndiqni videon dhe shikoni me sy sallën për të kuptuar që aty nuk janë 11 deputet siç pretendoi Nikolla.

Ligji Gjinushi, edhe sikur të kishte ndjekur një rrjedhje normale të shqyrtimit parlamentar edhe të ishte votuar nga votat e socialistëve prap është antikushtetues në thelbin e vet.

75-vjeçarët në Akademinë e Shkencave u ndalohet të zgjidhen dhe të kandidojnë, vetëm njërit i lejohet të jetë mbi 75 vjeç Kryetar?!”, tha ndër të tjera Zhupa duke iu referuar moshës së Skënder Gjinushit aktualisht 75 vjeç.

“Nga kjo dalje publike, i kërkoj Presidentit të Republikës, që ta vlerësoj me shumë kujdes këtë ligj, dhe të mos lejojë që ky ligj të bëhet pjesë e rendit të brendshëm, por ta rikthejë atë për rishqyrtim në Kuvend, me qëllim që Kuvendi në sesionin e ri parlamentar, ti thërrasë mendjes, dhe të terhiqet nga iniciativa të tilla, ku përmes falsifikimeve, dhe tjetërsimeve të fakteve, e ndërhyrjeve të padrejta, synohet të realizohet një “puç i dytë”, ndaj Kushtetutës, ndaj lirisë së institucioneve akademike dhe pavarësisë politike të tyre, ndaj parimeve kushtetuese, parlamentarizmit dhe parimeve demokratike. Personalisht jam e angazhuar, që këtë proces ta ndjek deri në fund”, tha Zhupa.

Në të njëjtën kohë, ajo kërkoi edhe ndërhyrjen e SPAK që të vlerësojë   “nëse jemi përpara nevojës për fillimin e verifikimit apo të ushtrimit të ndjekjes penale, për vepra penale, të konsumuara përgjatë veprimtarisë administrative dhe/apo parlamentare, që kanë synuar arritjen e qëllimeve të caktuara”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë