Nga Gazeta Si- Situata në Rodos të Greqisë po rëndohet akoma më shumë me kalimin e orëve ndërsa zjarrfikësit janë në luftë të vazhdueshme me flakët.
Rodos, një nga ishujt më të mëdhenj dhe më të preferuar për turistët po përjeton një makth prej disa ditësh tashmë për shkak të zjarreve që kanë pushtuar vendin.
Autoritetet kanë lëshuar alarmin se e marta pritet të sjellë më shumë zjarre për shkak se temperaturat priten të shkojnë deri në 43 gradë.
Gjitashtu alarm i kuq është lëshuar edhe për Kretën e cila rrezikohet nga flakët.
“Kreta është në rrezik ekstrem të zjarreve të furishme pasi autoritetet lokale paralajmërojnë se ishulli është i radhës për t’u shkatërruar nga flakët që përhapen në të gjithë Greqinë”, shkruan The Independent.
Gati 20,000 njerëz, shumë prej të cilëve turistë, janë evakuuar nga ishulli i Rodosit, pasi zjarret e mëdha shpërthyen nga malet drejt qyteteve turistike bregdetare jugperëndimore. Ky është numri më i lartë i të evakuuarve në një situatë të tillë në Greqi.
Deri më tani nuk është raportuar akoma asnjë shtetas shqiptar i lënduar edhe pse janë të shumtë emigrantët shqiptarë që jetojnë në Rodos ose shkojnë gjatë sezonit të verës për punë sezonale apo turizëm.
Ndërkohë, vatrat e reja të zjarrit vazhdojnë të aktivizohen për shkak të erërave të forta në zonën e Karystos në Greqi.
Mediat greke bëjnë me dije se flakët po u afrohen vendbanimeve.
“Situata është makth për fshatrat Platanistos dhe Potami sepse zjarri ka hyrë në oborre, ka djegur objektet blegtorale dhe erërat e forta vazhdojnë të shtyjnë flakët në zonat e banuara”, nënvizon zëvendësguvernatori i rajonit të Evias, Giorgos Kelaiditis.
Turqia, Kroacia dhe Egjipti kanë dërguar avionë për shuarjen e flakëve në Rodos, i cili bashkë me Korfuzin është mes ishujve më të preferuar në Greqi, veçanërisht nga turistët britanikë dhe gjermanë.
Zjarret në Greqi, Mitsotakis: Duhet të jemi në gatishmëri, jemi në luftë
Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, i tha parlamentit ditën e sotme se “Për javët e ardhshme ne duhet të jemi në gatishmëri të vazhdueshme. Jemi në luftë, do të rindërtojmë atë që kemi humbur, do të dëmshpërblejmë ata që u lënduan”, raporton Reuters. Ai tha se kriza klimatike do të shfaqet kudo në Mesdhe me fatkeqësi më të mëdha.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka kontaktuar kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis, për të ofruar ndihmë shtesë.
“E thirra Mitsotakis për të shprehur mbështetjen tonë të plotë për Greqinë, e cila po përballet me zjarre shkatërruese në pyje dhe një valë të madhe të nxehti për shkak të ndryshimeve klimatike”, shkroi ajo në Tëitter.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



