Drejtësia

SPAK kërkon sekuestrimin e pasurive të Anton Gjinaj dhe 3 të dënuarve në Belgjikë

Gazeta Si – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kërkoi konfiskimin e pasurive për disa persona, të cilët dyshohet se i kanë vënë me aktivitete të paligjshme me origjinë kriminale.

Në rastin e parë, SPAK thotë se bëhet fjalë për vëllezërit Bardhok Shota dhe Kastriot Shota, banues në fshatin Derven, Fushë Krujë, të cilët janë hetuar dhe janë dënuar në Mbretërinë e Belgjikës në vitin 2015 për vepra penale të ndryshme, si dhe për pjesëmarrje në grup kriminal për kryerjen e veprave penale të lidhura me drogën.

“Gjatë vitit 2020 dhe 2021 këta subjekte janë hetuar dhe po gjykohen nga autoritetet e Mbretërisë së Belgjikës, pasi në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal janë marrë me aktivitetin e kundraligjshëm të kultivimit të kanabisit gjatë periudhës Qershor-Korrik 2020, si dhe nga autoritetet ligjzbatuese belge janë zbuluar disa plantacione me kanabis në zonat Saint-Josse-Ten-Noode dhe Antwerp”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Po ashtu, SPAK ka dërguar kërkesë edhe për konfiskimin e pasurive të subjektit të hetimit pasuror Anton (Pashuk) Gjinaj (Gjini) dhe personave të lidhur me të.

Pashuk Gjini është shpallur fajtor dhe është dënuar me 8 vjet e 9 muaj burgim për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

6 shoqëri tregtare të cilat operojnë kryesisht në fushën e ndërtimit si “Alesio 2014” apo “Garden Residence Turdiu”, pasuri tokë truall dhe arë, ndërtesa dhe apartamente në Tiranë, si dhe 4 makina sipas Prokurorisë duhet t’i kalojnë në favor shtetit.

Referuar hetimeve, Prokuroria thotë se në 2010-ën, Pashuk Gjini është shpallur fajtor për trafikimin në vitin 2006 të 50 kilogramëve heroinë nga Holanda drejt Spanjës, me vlere 1.9 milionë Euro dhe është dënuar me 8 vjet e 9 muaj burgim. Bashkë me të u dënua me të njëjtën masë edhe shtetasi Sulejman Shkalla, ndërsa 2 holandezë dhe 1 spanjoll u dënuan me nga 10 vjet burg. 

Nga verifikimet e kryera nga ana e policisë gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, rezulton se shtetasi Pashuk Gjini me datë 17.02.2011, ka bërë ndërrimin e emrit nga “Pashuk Gjini” në “Anton Gjinaj”.

SPAK ka kërkuar gjithashtu edhe konfiskimin e pasurive te subjektit të hetimit, Veip Ormënaj dhe personave të lidhur.

Veip Ormënaj është dënuar në Belgjikë për veprat penale të “Trafikim i substancave narkotike” dhe “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”.

“Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar përsa i përket pasurive të shtetasit Veip Ormënaj, rezulton se kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se këto pasuri të paluajtshme apo të luajtshme, t’i kenë fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale”, – njofton SPAK.

Sipas SPAK, pasuritë konsiderohen kryesisht në apartamente, biznese makina apo edhe llogari bankare me vlera të larta monetare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë