Skënder Gjinushit i është hapur rruga e mandatit të dytë në krye të Akademisë së Shkencave, por një nga iniciuesit e draftit që i dha drejtim këtij procesi, deputeti socialist Petro Koçi ka dhënë dorëheqjen.
Arsyeja? Drafti që më pas u votua vetëm me votat e mazhorancës në Kuvend, (në seancën e fundit parlamentare) kaloi në shkelje të rregullores.
“Në datën 11 Korrik në mbledhjen e Komisionit u shqyrtua projektligji i iniciuar prej meje dhe zotit Beqiraj.
Një projekt që gëzonte mbështetjen e shumicës së komunitetit akademik. Në përfundim të mbledhjes unë deklarova dorëheqjen për dy arsye. E para sepse projektligji nuk u hodh në votim me manovrën e largimit të deputetëve të opozitës dhe reduktimit të prezencës deri në mungesë kuorumi.
E dyta sepse disa kolegë të maxhorancës mbajtën qëndrime me ekuivok duke e mundësuar taktiken e opozitës për të rrëzuar kuorumin. E konsiderova fyerje si sjelljen e opozitës ashtu edhe atë të kolegeve të mi. Unë nuk pres vota pro nga opozita, sepse as nuk dua të ndihen te kompromentuar.
Por moslejimin e votimit nuk e pranoj. Kjo është kundër rregullores dhe normalitetit.
Marrja e pushkëve politike kundër Gjinushit nuk mund të cenojë procedurën parlamentare. Prandaj deklarova dorëheqjen. Mendoj se ndodhi të tilla nuk mund të kalojnë pa pasoja. Dhe tërheqja ime nuk ka lidhje me fatin e një projektligji por me fatin e proçedurës dhe rregullit parlamentar.
Në pozicionin e anëtarit të thjeshtë nëpër komisione do kem sërish të njëjtin angazhim parimor.
Edhe nëse për këtë dorëheqje nuk e vret njeri derrin në atë komision, për mua ka rëndësi qetësia e ndërgjegjes time politike”, është shprehur Koçi.
Deputetët e PD-së kundërshtuan futjen në kundërshtim me rregulloren në moment të fundit të draftit të PS-së për mandatin e Skënder Gjinushit, duke u futur madje në detaje konkrete, por asnjë prej tyre, nuk kish kuptuar se projektligji i ofruar me urgjence ne seancën e fundit parlamentare për këtë sesion nuk kishte pasur as kuorumin për ta kaluar në komision, elementi bazë për ta kaluar më pas për votim në seancë. Dhe këtë fakt nuk e denoncon PD-ja por deputeti i PS-së, madje edhe një nga dy iniciuesit e projektligjit
.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.