Bota

Polonia thërret ambasadorin rus pas deklaratave ‘provokuese’ të Putinit për Stalinin

Gazeta Si – Polonia tha se thirri ambasadorin rus në ministrinë e Jashtme të vendit pas akuzave se forcat polake u përpoqën të pushtonin një pjesë të territorit ukrainas.

Presidenti rus Vladimir Putin tha dje se territoret perëndimore të Polonisë së sotme, janë një dhuratë nga Stalini për polakët.

Kryeministri polak Mateusz Moraëiecki reagoi: “Stalini ishte një kriminel lufte, përgjegjës për vdekjen e qindra mijëra polakëve. E vërteta historike nuk është objekt diskutimi. Ambasadori i Federatës Ruse do të thirret në Ministrinë e Punëve të Jashtme”.

Udhëheqësi rus të premten e ka akuzuar Poloninë për ambicie territoriale në Ukrainën perëndimore, një pohim i përsëritur shpesh nga Rusia, si dhe nga Bjellorusia, një aleate e ngushtë e Moskës, të cilën Putin më 21 korrik premtoi se do ta mbronte nga ndonjë sulm i mundshëm, raporton AFP.

Gjatë një takimi të këshillit të sigurisë kombëtare ruse, Putin pohoi, po ashtu, se territoret perëndimore polake ishin “dhuratë” e bërë pas Luftës së Dytë Botërore nga ish-udhëheqësi sovjetik, Joseph Stalin.

Zëvendësministri i Jashtëm polak, Paëel Jablonski, ka thënë se ambasadori rus është ftuar në bisedë pas “deklaratave provokuese nga presidenti rus, Vladimir Putin, si dhe pas kërcënimeve dhe veprimeve të tjera jomiqësore nga Federata Ruse karshi Polonisë dhe aleatëve tanë”. “Takimi ishte shumë i shkurtër”, ka shtuar ai.

“Kufijtë ndërmjet vendeve janë absolutisht të paprekshëm, dhe Polonia kundërshton çfarëdolloj ndryshimi të tyre”, ka deklaruar Jablonski.

Marrëveshja e pasluftës pas vitit 1945 përcaktoi që Polonia e sotme të zgjerohej për 30 kilometra në perëndim, krahasuar me kufijtë e saj të paraluftës.

Ajo marrëveshje bëri që Bashkimi Sovjetik të mbante pjesë të dikurshme të Polonisë, që Moska i kishte aneksuar më 1939, përderisa Polonia të fitonte territore, që kishin qenë pjesë e Gjermanisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë