Zgjedhjet lokale të prillit në katër komunat veriore në Kosovë të banuara me shumicë serbe “ishin mina mbi të cilën fatkeqësisht shkelëm”, ka thënë i dërguari evropian i ngarkuar me lehtësimin e dialogut Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Duke folur në një intervistë për median austriake “Kurier”, mbi tensionet e fundit në veri të Kosovës dhe Marrëveshjen Bazë për normalizim të marrëdhënieve të arritur në Bruksel dhe Ohër, ai përdori sërish metaforën e “minave” të cilën ka kohë që e përmend.
“Marrëveshja e marsit ishte një hap i madh në normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Ne dimë saktësisht se çfarë duhet bërë. Por ka shumë ‘mina përgjatë rrugës’ mbi të cilat nuk duhet shkelur. Zgjedhjet lokale të prillit ishin një e tillë mbi të cilën fatkeqësisht shkelëm. Aktualisht përqendrimi ynë nuk është më në normalizim, por në menaxhim të krizave”, ka thënë emisari evropian.
Pyetur nga media austriake se a është në këtë mënyrë BE-ja ajo që ka gabuar, Lajçak u shpreh se “ne mbase edhe bëjmë më shumë nga ç’mundemi”.
“Kur më caktuan në këtë pozitë, kishte dy vjet që nuk kishte dialog. E para detyrë ime ishte ta ringjallja dhe ta vendosja BE-në në sediljen e drejtuesit. Nuk është arritje e vogël. Ne sigurojmë platformën e dialogut, por suksesi varet nga dy palët. Ne mbase bëjmë edhe më shumë nga ç’mundemi”, tha ai.
Në qarqe diplomatike prej kohësh tashmë ka shumë kritika që rëndojnë mbi BE-në por edhe vetë Lajçakun si ndërmjetësues, se po përdoret qasje e butë ndaj Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandar Vuçiq. Por diplomati sllovak i ka hedhur poshtë këtë nënkuptime duke u shprehur: Të punuarit në mënyrë të paanshme është detyrë e imja.
Pesë vende brenda Unionit Evropian, përfshi edhe Sllovakinë nga vjen vetë Lajçak, refuzojnë të njohin shtetësinë e Kosovës, duke paraqitur kështu jo pak problem për dialogun Kosovë-Serbi. Por edhe lidhur me këtë Lajçaku u shpreh se ai flet në emër të 27 shteteve të BE-së, ndërsa shtetet individuale vendosin vetë rreth çështjes së njohjes apo mosnjohjes.
“Nuk po flas për një vend, por për të 27 vendet e BE-së. Ata duhet të vendosin vetë për këtë çështje. Por, pesë të përmendurit e ndjekin me vëmendje të madhe dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ata e dinë se cilido qoftë rezultati, ai do të ndikojë tek ata. Por të gjithë duan një normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe mbështesin marrëveshjen e marsit”, tha ai.

Lajçak foli edhe për vështirësitë mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiçit për të biseduar me njëri-tjetrin, por edhe ecurinë e bisedimeve të tyre, çka sipas diplomatit sllovak do të thotë se gjithsesi raporti mes tyre është më i mirë se para dy vitesh.
“Të dy e kuptojnë se sa i rëndësishëm është ky dialog për ta. Në të njëjtën kohë, është shumë e vështirë për ta. Sepse edhe Vuçiç edhe Kurti e dinë se çdo gjë për të cilën bien dakord do të shikohet nga afër nga qytetarët e tyre dhe publiku. Për shkak të këtij presioni, atyre iu desh një kohë që të krijonin një marrëdhënie pune. Mbaj mend që takimi i parë në 2021 nuk ishte i lehtë. Më pas ata mësuan të dëgjonin njëri-tjetrin dhe të mos pajtoheshin me respekt në vend që të fyenin njëri-tjetrin. Tani i jemi kthyer menaxhimit të krizave”, shtoi Lajçak.
Ai tha se pret që Marrëveshja e Ohrit të nisë të jetësohet ndërsa u shpreh se vonesat nuk ndihmojnë. “Ne krijuam këtë momentum në pranverë, duhet ta përdorim”, thotë Mirosllav Lajçak.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




