Gazeta Si – Koreja e Veriut ka lëshuar disa raketa lundrimi në Detin e Verdhë. Lajmi është raportuar nga Shtabi i Përgjithshëm i Përbashkët i Koresë së Jugut, cituar nga agjencia e lajmeve “Yonhap”.
Autoritetet e inteligjencës koreano-jugore dhe amerikane po analizojnë lëshimet, të cilat ndodhën rreth orës 4 të mëngjesit (koha lokale), për të kuptuar se çfarë lloj raketash ishin dhe detaje të tjera, shton komanda e Seulit.
Nisja e re nga Pheniani ndodh tre ditë pas asaj të dy raketave balistike me rreze të shkurtër veprimi në Detin e Japonisë dhe një ditë pas rastit misterioz të arratisjes së ushtarit amerikan Travis King në Korenë e Veriut.
Testet e fundit ushtarake të qeverisë së Koresë së Veriut vijnë ndërsa Seuli dhe Uashingtoni përforcojnë bashkëpunimin në mbrojtje mes fërkimeve në rritje.
Diplomacia midis dy Koreve ka ngecur në vendnumëro dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un ka bërë thirrje për rritjen e zhvillimit dhe ndërtimit të armëve, duke përfshirë ato taktike bërthamore.
Si përgjigje, Seuli dhe Uashingtoni organizuan stërvitje të përbashkëta ushtarake, duke përdorur avionët më të fundit të fshehtë dhe mjete të tjera strategjike ushtarake, ndërsa këtë javë një nëndetëse amerikane e pajisur me armë bërthamore u dërgua në një port të Koresë së Jugut për herë të parë në dekada.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



