Nga Gazeta Si- Deputetët e Partisë Socialiste në Komisionin e Edukimit kanë miratuar me 9 vota pro dhe 1 apstenim (në mungesë të kolegëve të Partisë Demokratike) ndryshimet për Projektligjin për Akademinë e Shkencave, që i lejon kryetarit aktual Skënder Gjinushi të rikandidojë për një mandat të dytë radhazi.
Me ligjin e vjetër, kryetari i Akademisë së Shkencave nuk mund të kandidonte dy herë radhazi dhe me ligjin e ri, në nenin 11, pika 4, është hequr togfjalëshi “por jo radhazi” dhe do të jetë si vijon:
“Mandati i Kryetarit dhe zëvendëskryetarit është 4 vite, ndërsa ai i sekretarit shkencor dhe drejtuesve të seksioneve është 5 vite”.
Kjo e lejon Gjinushin, të cilit i mbaron mandati ditën e sotme, të kandidojë përsëri për kryetar në zgjedhjet që janë njoftuar se do të mbahen në fund të vitit.
Projektligji u miratuan nga zëvendëskryetari Petro Koçi, në mungesë të kryetares së komisionit Flutura Açka, e cila mëngjesin e sotëm tha në një njoftim se “ndërkohë që të gjitha komisionet e kanë mbyllur sesionin e punës së tyre, Petro Koçi dhe Ismet Beqiraj kanë mbledhur shumicën e anëtarëve të komisionit për të miratuar projektligjin”.
Ndërsa gjatë mbledhjes së Komisionit që zgjati 4 minuta, Petro Koçi tha se “në mënyrë të parregullt kryetarja e komisionit nuk ka lejuar votimin e projektligjit gjatë gjithë kësaj kohe edhe pse ka qenë e llogaritur që të përfundonte votimi para mbylljes së punimeve për këtë sezon”.
Nga ana tjetër, Flutura Açka ka thënë se gjithë projektligji ka pasur shkelje që kanë kërkuar kohën e tyre për t’u shqyrtuar.
“Në të gjitha hallkat e shqyrtimit të projektligjit ka pasur shkelje që kërkojnë kohën e tyre për t’u shqyrtuar”, ka thënë Açka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.