Presidenti Ilir Meta dhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi kanë zhvilluar një takim “kokë më kokë” në hotel Tirana. Takimi mes tyre erdhi menjëherë pasi Presidenca publikoi dekretin për lirimin si ushtarak të Sandër Lleshajt, duke i hapur rrugë mundësisë për të nxjerrë vendimin e dytë për ta emëruar si ministër i Brendshëm.
Mësohet se këto konsulta kanë zgjatur mbi 20 minuta dhe se që dy drejtuesit e lartë të shtetit janë larguar për të vijuar axhendën e tyre të punës.
Ndërkohë që konsultat mes Ruçit dhe Metës nuk përjashtojnë asnjë bisedimet në lidhje me dekretin e presidentit për të emëruar në postin e kryetarit të Kontrollit të Lartë Shtetit, anëtaren e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tushaj.
Kuvendi pritet të shqyrtojë dekretin për Tushajn javën e ardhshme dhe se fati i miratimit ose jo të kësaj kandidature duket se është i ndërvarur nga vendimi që do të japë sot presidenti për çështjen “Lleshaj”.
Ruçi duket se është me i preferuari i Metës për të pasur konsulta me mazhoranca, pasi me kryeministrin ka komunikim vetëm anë të shkresave.
Presidenti Meta pati deklaruar se nuk mund t’i ushtrojnë presion për çështjen e zbatimit të Kushtetutës, duke nënkuptuar se Lleshaj nuk mund të ishte ministër i Brendshëm, duke qenë ushtarak aktiv.
Paraqitja e kërkesës nga ana e ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka dje në presidencë për nxjerrjen në lirim të Lleshajt si ushtarak, pas kërkesës zyrtare të paraqitur në Presidencë nga vetë gjenerali, duket se i ka hapur rrugë procesit të emërimit të ministrit të ri të Brendshëm.
Gjithsesi vendimin Presidenti do ta shpallë disa orë më vonë, nëse do ta dekretojë ose jo, pasi sot është edhe afati u fundit kushtetues për t’u shprehur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




