Presidenti merr vendimin për lirimin si ushtarak të Sandër Lleshajt. Në ditën e fundit të afatit kushtetues për të shprehur mbi dekretimin e dytë të Lleshajt si ministër i Brendshëm, presidenti ka plotësuar një kërkesë të parë të ardhur nga kryeministri Edi Rama dhe nga vetë i propozuari si në këtë post ministror, duke e nxjerrë ushtarak në lirim.
“Në mbështetje të nenit 93, të Kushtetutës, të nenit 9, pika 3, shkronja “g”, të ligjit nr. 64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, të nenit 26 pika 1, shkronja “ç”, të ligjit nr. 59/2014 “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, me propozim të Ministrit të Mbrojtjes nr. 8210/1 prot., datë 15.11.2018: Gjeneral Brigade Sandër Ndue Lleshaj, nxirret në lirim”, thuhet në dekretin e publikuar nga ana e Presidencës. Dekreti numri 10995 hyn menjëherë në fuqi.

Mësohet se propozimi për nxjerrjen në lirim u paraqit nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka më 15 nëntor.
Ndërsa ky veprim duhet të pasohet edhe me tjetrin atë shprehjes së presidentit në lidhje me propozimin e dytë të Ramës për ta emëruar në postin e ministrit të Brendshëm.
Sot është afati i fundit për dekretin e Sandër Lleshajt. Presidenti i Republikës, Ilir Meta po vazhdon “luftën nervave” me mazhorancën, duke e lënë dhënien e qëndrimit për dekretimin e Sandër Lleshajt në limitet e fundit kohore kushtetuese.
Ashtu si në rastin e parë dhe në këtë ripropozim të dytë presidenti do të vendosë në limitin e afatit 7 ditor.
Sot Presidenti e nisi ditën duke iu rikthyer Kuvendit, për të folur në aktivitetin e organizuar nga kryeparlamentari Gramoz Ruçi për Sesionin e Dytë Plenar të Parlamentit Ndërkombëtar për Tolerancën dhe Paqen.

Pas këtij aktiviteti Presidenti u pyet nga mediat në lidhje me dekretin se kur do ta japë qëndrimin zyrtar. “Kemi kohë deri në darkë kur të komunikoj me gazetarin Arjan Çani. Më ndiqni aty. Tani po shkoj në zyrë”, – është shprehur presidenti për gazetarët.
Një ditë më parë, presidenti i Republikës, Ilir Meta, deklaroi se e njeh shumë mirë Kushtetutën e vendit në lidhje me dekretimin e ministrave dhe asnjë lloj presioni nuk mund të ndikojë tek ai për të shkelur ligjin themeltar të shtetit shqiptar.
“Për dekretin. Unë nuk jam përfshirë në një deklaratë të tillë dhe asnjë polemikë. Jam President për të respektuar i pari Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Nuk ka asnjë presion që mund të ndikojë tek unë për të cenuar Kushtetutën dhe sikurse ju e dini, jam shprehur edhe publikisht për të informuar Kuvendin, në rast se kuvendi kërkon sqarime. Kam takuar edhe kryetarin e Kuvendit”, deklaroi Meta.
Pikërisht ky qëndrim komentohet si një paralajmërim se Meta mund të mbajë të njëjtin qëndrim si në radhën e parë, duke refuzuar që të dekretojë Sandër Lleshajn në këtë detyrë të propozuar nga ana e kryeministrit Edi Rama.
Herën e parë presidenti do të deklaronte se “Meta nuk e kishte krijuar bindjen për të dekretuar Lleshajn në këtë detyrë”
Neni 98 i Kushtetutës e ka përcaktuar “1. Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve. 2. Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi”.
Të premten Kryeministri Edi Rama i paraqiti për herë të dytë emrin e Lleshajt për ta dekretuar në postin e ministrit e Brendshëm. “Sapo kam rifirmosur për ridërgim kërkesën për dekretimin e Sandër Lleshit Ministër i Brendshëm, drejtuar Presidentit të Republikës. Bashkëngjitur do t’i dërgohet Presidentit edhe një relacion i detajuar shpjegues, në funksion të dekretimit të Ministrit të Brendshëm”, do të postonte në llogarinë zyrtare Rama më 9 nëntor. Ndërsa publikoi dy ditë më pas edhe përgjigjen e letrës së 14 pyetjeve të paraqitura nga ana e presidentit Meta në lidhje me faktin se Lleshaj si gjeneral rezulton të jetë ushtarak aktiv dhe nëse kjo përbën shkelje ose jo më Kushtetutën.
“Ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhjen ose emërohen në detyra të tjera shtetërore dhe as të marrin pjesë në parti ose në veprimtari politike, ndërkohë që një ushtarak i shërbimit aktiv nuk mund të kandidojë e as të zgjidhet ministër apo deputet pa hequr dorë më parë nga detyra”, do të shprehej Meta në letrën e tij.
Por, kryeministri i ktheu menjëherë përgjigje 14 pyetjeve të Presidentit, po me anë të letrave, duke i bërë të ditur se ai mund të zhgradojë Lleshajn si ushtarak dhe më pas të nxjerrë dekretin duke e emëruar atë si ministër të Brendshëm
“Është e tëra e juaja zgjedhja e opinionit tonë të shprehur në përgjigjen e ministër apo e një opinioni të ndryshëm nga i yni dhe, në rast se ky i fundit do të jetë rasti, ju mund ta çdekretoni Sandër Lleshajn si gjeneral aktiv (bazuar në kërkesën e tij drejtuar jush) e pastaj ta dekretoni atë ministër të Brendshëm”, shkruante Rama në letrën e tij.
Ndërsa vetë Sandër Lleshaj i është përgjigjur letrën së Metës duke theksuar se prej vitit 2013 ai nuk mban statusin e ushtarakut aktiv në Forcat e Armatosura, duke i kërkuar kreut të shtetit ta zhdekretojë nga grada e gjeneralit.
“Në vitin 2018 i kam kërkuar ministrit të Mbrojtjes nxjerrjen e akteve të cilat do të mund të rregullonin pasojat e shkaktuara nga dekreti i presidentit mbi lirimin tim, i shfuqizuar gjyqësisht. Ministria e Mbrojtjes në kushtet e kundërshtimi të vendimit të Gjykatës së Lartë ka vazhduar të më konsiderojë gjyqpëfitues në pritje të përfundimit të procesit gjyqësor. Deri në momentin e daljes së këtyre akteve, unë kam cilësinë e gjyqfituesit, por jo të “ushtarakut aktiv”, siç parashikohet si nga neni 2 i ligjit nr.9210 datë 23.3.2004, të ndryshuar, “Mbi statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Shqipërisë”, shkruan Lleshaj në Letrën e tij, e cila u bë publike nga Edi Rama nëpërmjet një postimi në Tëitter.
Kreu i shtetit nga mosbindja nga propozimi për Lleshajn i duhet të vendosë kësaj herë mbi bazën e letrave që ka si informacione shtesë mbi statusin e të propozuarit si ushtarak, tashmë në postin e zv.ministrit të Brendshëm. Ndërsa ky vendim për lirimin e tij, mund të shihet si një tërheqje e presidentit, por gjithsesi Meta do ta bëjë publike vendimin në darkë në një emision televiziv.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




