Kosova

Hovenier: Situata në veri e komplikuar. Duam që Kosova të jetë e koordinuar me aleatët

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, tha se situata në veri është e komplikuar dhe mënyra se si Qeveria e Kosovës po e menaxhon është e ndjeshme.

Ai ka kërkuar koordinim më të madh të Kosovës me aleatët ndërkombëtarë, në mënyrë që sipas tij, të shmanget kriza.

“Do të thosha që SHBA-ja mbetet e përkushtuar siç ka qenë gjithmonë që ta shohë Kosovën duke arritur qëllimet e veta. Ajo që dua të them është se ne jemi prapa një Kosove sovrane, të pavarur, multietnike demokratike që zë vend në strukturat evropiane e euroatlantike.

Po bëjmë punë të madhe për këtë. Kjo po ashtu nënkupton që Kosova ta ushtrojë sovranitetin e saj. Veriu është i komplikuar dhe i vështirë dhe mënyra se si Qeveria e Kosovës menaxhon situatën është shumë e ndjeshme. Duam të jetë shumë e koordinuar me aleatët ndërkombëtarë që të shmangin momentet e krizës që pengojnë rrugën tonë të gjatë për të arritur këtë qëllim të përbashkët”, ka thënë ai.

Ai është pyetur nga gazetarët edhe rreth publikimit të disa përgjimeve ku e përfshirë është shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila dhe Slavko Simiç i Listës Serbe, ndërsa përmendet edhe Milan Radojiçiç.

“Nuk mund të flas shumë për këtë, liderët politikë në Parlament kanë komunikim me të gjitha palët. Por Radojiçiç ju e dini se është në listë të zezë të SHBA-ve”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë