Bota

Të paktën 300 emigrantë të humbur në Ishujt Kanarie, mes tyre shumë fëmijë në varka

Gazeta Si – Të paktën 300 emigrantë nga Senegali janë raportuar të zhdukur në ishujt Kanarie, të cilat janë pjesë e Spanjës dhe ndodhen pranë bregut perëndimor të Afrikës.

Helena Maleno, e cila drejton OJQ-në spanjolle “Caminando Fronteras”, e denoncoi këtë në agjencisë së lajmeve “Reuters”.

Maleno shpjegoi se emigrantët e zhdukur ishin në bordin e tre varkave, dy të cilat u nisën më shumë se dy javë më parë dhe një e tretë më 27 qershor, me destinacion Ishujt Kanarie.

Dy të parët kishin nga 50 deri në 65 persona secili në bord, dhe e treta të paktën 200.

Ata ishin larguar të gjithë nga porti i Kafountine, në Senegalin jugor, i cili në vijë ajrore është rreth 1700 kilometra nga Tenerife, më i madhi i ishujve Kanarie.

Maleno tha se familjet e emigrantëve nuk kanë kontakte nga të afërmit e tyre që kur u larguan nga Senegali dhe se ekziston frika se varkat me të cilat po udhëtonin mund të jenë mbytur. Aktualisht nuk ka më shumë informacion për këtë.

Sipas organizatave humanitare, rruga e migrimit përmes detit midis vendeve të Afrikës Perëndimore dhe Spanjës, veçanërisht drejt ishujve Kanarie, është një nga më të rrezikshmet në botë.

Ishujt tentohen nga mijëra njerëz çdo vit dhe shumë vdesin gjatë udhëtimit.

Në vitin 2022, të paktën 559 emigrantë, përfshirë 22 fëmijë, vdiqën duke u përpjekur të arrinin në Ishujt Kanarie.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë