Vizitorëve në Japoni u ofrohet shansi i fundit për të udhëtuar me më pak bagazhe, të paketojnë vetëm të brendshme dhe një furçë dhëmbësh dhe të marrin me qira të gjitha rrobat pas mbërritjes duke hequr dorë nga valixhet jomiqësore me mjedisin, sipas “The Financial Times”.
Sipas një eksperimenti njëvjeçar që filloi të mërkurën, pasagjerët që udhëtojnë me “Japan Airlines” (JAL) mund të marrin me qira veshje sipas sezonit, madhësisë, formës dhe ngjyrave.
Sipas skemës, një vizitor në Japoni mund të rezervojë rrobat e tij deri në një muaj përpara, për t’i përdorur ato për dy javë.
Udhëtarët mund të specifikojnë qëllimin e vizitës së tyre për t’u siguruar që kanë veshjet e duhura.
Sipas JAL, skema është krijuar për udhëtarët që shpresojnë të bëjnë një “zgjedhje të qëndrueshme”.
Rrobat e marra me qira, një kombinim i stokut të tepërt nga shitësit me pakicë dhe veshjeve të përdorura të mbledhura nga një kompani partnere, do të dorëzohen në një hotel ose akomodim në “Airbnb” përpara mbërritjes, dhe do të mblidhen në fund të vizitës për t’u larë dhe ricikluar.
Sipas strukturës aktuale të çmimeve, një grua që udhëton për qëllime pune në vapën përvëluese të verës japoneze mund të paguajë 5 000 jen (35 dollarë) për një përzgjedhje, që përfshin këmisha prej liri, pantallona dhe një fund deri në kyçin e këmbës.
Një burrë që udhëton në një udhëtim më të rastësishëm në dimër mund të marrë me qira një gardërobë që përfshin xhinse, një kapuç dhe një xhaketë komode për 7000 jen.
Skema e provës, e njohur si “Any Wear, Anywhere”, e udhëhequr nga JAL dhe shtëpia tregtare “Sumitomo”, është paraqitur si një përpjekje për të promovuar turizmin e qëndrueshëm.
Gjatë eksperimentit 13-mujor, JAL do të mbledhë të dhëna nëse skema po shkakton një reduktim të përgjithshëm në peshën e bagazheve të pasagjerëve.
Skema është nisur gjatë një periudhe të rritjes së vizitorëve në Japoni, pas pandemisë.
Pas kufizimit të rreptë të mbërritjeve të vizitorëve midis marsit 2020 dhe tetorit 2022, Japonia ka rihapur dyert e saj.
Sipas Agjencisë Japoneze të Turizmit të qeverisë, vizitorët në tre muajt e parë të 2023 shpenzuan mesatarisht 50 496 jen vetëm për blerje. /ATA
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.