Drejtësia

Lefter Koka për herë të parë në gjyq pas 1 viti e 7 muaj burg. Ish-ministri: U fshehën provat për pafajësinë time

Gazeta Si - Në ditën kur avokatët e tij mbrojtës lexuan konkluzionet përfundimtare për akuzat e inceneratorit të Elbasanit, Lefter Koka është shfaqur për herë të parë në GJKKO që nga nisja e procesit gjyqësor.

Me një pamje të transformuar, ai ka buzëqeshur para kamerave, teksa në krah ka pasur edhe ish-deputetin socialist, Alqi Bllako.

Në sy bie transformimi ish-ministrit, i cili është shfaqur në sallë me mjekër pas me shumë se një vit e 7 muaj në burg.

Për rreth 5 orë ka zgjatur mbrojta e ish-ministrit Koka, ku ish-ministri pretendon se akuzat e Prokurorisë janë 'idiote', ndërsa përmend shpesh në dëshminë e tij të “vërtetë”, e cila sipas tij do të triumfojë.

"Akuza e prokurorisë është idiote! Kam hyrë në politikë si biznesmen dhe s`më bëri politika biznesmen", - thotë Koka.

LEXO EDHE:
- Inceneratori i Elbasanit, SPAK kërkon 10 vite burg për Lefter Kokën dhe 4 për Alqi Bllakon
- Si fitoi miliona Lefter Koka përmes kompanisë së vëllait. Të gjithë blenë sheqer, njëri prej tyre i pagoi qiranë ish-ministrit

Ai akuzon ish-partinë e tij, ish-presidentin Meta, por edhe deputeten e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhin, si persona të cilët kanë nxitur dhe montuar këtë proces hetimor në ngarkim të tij.

“Një e vërtetë e thënë përgjysmë është e pavërtetë. Prokuroria u bazua tek kallëzimi LSI dhe për 2 vite nuk më mori në pyetje asnjëherë. Unë si ministër, Sekretari përgjithshëm dhe Komisioni kemi zbatuar me përpikmëri ligjin. Bëmë punën më të mirë dhe shërbyem me devotshmëri. Është kohë e vështirë që kërkon burra e burrni, unë si kam borxh askujt ta paguaj me lirinë time! Akuza e prokurorisë është idiote! Kam hyrë në politikë si biznesmen dhe s`më bëri politika biznesmen. Po kthehemi 45 vite para në proceset e stisura të sistemit komunist. Është një alarm jo vetëm për mua por për të gjithë shoqërinë. Ky proces është i manipuluar fund e krye, besoj se e vërteta do të triumfoj. Nuk ekziston asnjë kontakt ose njohje me pronarët e inceneratorëve, ato nuk i solla unë por erdhën si propozim nga bota e biznesit. Prokurori devijoi hetimet dhe fraksionojë dosjen për të mos zbuluar të vërtetën. Drejtësia më herët sesa vonë do të dalë. Intriga e këtij procesi dashakeqës do të dalë dhe uroj të shërbejë për konsolidimin e mëtejshëm të reformës në drejtësi. Prokurori fshehu 40 fashikuj hetimor ku gjenden provat për pafajësinë time. Më janë vënë në dispozicion nga gjykata 1 javë më parë. Akuza pësoi mutacione për ti qëndruar besnike kallëzimit të LSI. Kurrë nuk i kam futur dorën në xhep dikujt”, - u shpreh Koka.

Avokati Julian Mërtiri deklaroi se klienti i tij është i pafajshëm për 3 akuzat, shpërdorim detyre, korrupsion pasiv dhe pastrim i produkteve të veprës penale.

Mërtiri deklaroi se Koka thjesht ka zbatuar vendimin e këshillit të ministrave. Ka qenë komisioni që është ngritur me përfaqësues të shumë ministrive dhe pushtetit lokal që ka vendosur për dhënien e koncesionit, ndërsa Koka ka firmosur thjesht vendimin e qeverisë.

Sipas avokatit, nuk ka asnjë prove që implikon klientin e tij në përfitime te paligjshme për favorizim në dhënien e koncesionit.

Më herët, SPAK ka kërkuar 10 vite burg për Kokën që me aplikim të gjykimit të shkurtuar, nëse shpallet fajtor do dënohet 6.8 vite me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Në mbrojtjen me më shumë se 100 faqe Mërtiri kërkoi lirimin e Kokës për shkak të moshës, për arsye se ka probleme të shëndetit, është baba i 3 fëmijëve dhe mbahet prej shumë kohësh në paraburgim.

Gjendja e tij është rënduar më paraburgim dhe se burgu ku ndodhet nuk garanton kushtet për gjendjen e tij shëndetësore.

Ai gjithashtu kërkoi heqjen e sekuestros, sepse nuk ka shpërdorim detyre e për rrjedhoje nuk ka pastrim të produkteve të veprës penale.

Ai gjithashtu u shpreh se kantina Skënderbeu ka vlerë shumë herë më të lartë sesa shuma prej 2.6 milionë euro që SPAK thotë se ka përfituar Koka.

Në pjesën e parë të mbrojtjes, Lefter Koka është përqendruar tek akuza e shpërdorimit të detyrës, duke ia kaluar përgjegjësinë Këshillit të Ministrave.

Avokati i tij pretendoi se në lidhje me inceneratorin e Elbasanit, i është kërkuar mendim katër ministrive, Financave, Ekonomisë dhe Energjitikës, Mjedisit dhe Drejtësisë.

"Gjatë kohës që janë bërë negociata me kompanitë e inceneratorit klienti im ka qenë jashtë vendit. Sa i përket procedurës së bërë me negocim pa shpallje, është bërë në kuadër të emergjencës mjedisore të shpallur nga Bashkia e Elbasanit. Në komisionet e ngritura, nuk ishte e përfshirë vetëm Ministria e Mjedisit, por kishte përfaqësues edhe nga ministritë e tjera. Në lidhje me këtë procedim janë pyetur 87 persona, janë vënë 33 numra në përgjim, 8 pajisje pc të Klodian Zotos janë sekuestruar, 11 institucione bankare, dy pajisje pc brenda kantinës së verës, nga të cilat nuk ka dalë asnjë provë direkte që e implikon z. Koka me akuzat”, - tha avokati i Lefter Kokës.

Në këtë seancë, avokatët e Kokës kanë pretenduar për një proces të stisur politikisht, sipas tyre, që ka një porositës.

“Provat në 120.000 faqe dosje hetimore faktojnë pafajësinë absolute të Lefter Kokës për 3 akuzat. Proçesi është i stisur politikisht, ka porositës dhe ekzekutor. Dy takimet që pretendohet se Lefter Koka ka marre pjesë në diskutime me Albtek faktohet nga TIMS se ka qenë jashtë Shqipërisë. Kosto e impiantit të Elbasanit është më ekonomikia e mundshme. Landfilli kushton 3-fish më pak nga ai i Vlorës, 2-fish më pak nga Saranda”.

Sipas avokatëve të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka nuk ka përfituar asnjë shumë parash korrupsion nga inceneratori i Elbasanit dhe kjo sipas tyre, duket në faktin që pasuria e ish-ministrit nuk është shtuar, bazuar dhe në raportet e ILDKPKI.

“Lefter Koka nuk ka asnjë pasuri të shtuar pas 2013, faktuar nga hetimi dhe ILDKPKI. Ku janë paratë e korrupsionit? Shoqëritë kanë kryer evazion fiskal me njëra-tjetrën pa lidhje me Lefter Kokën dhe janë dënuar nga gjykatat e rretheve për këtë vepër. Hetimi u devijua. Kjo çështje është e hetuar dhe gjykuar në Gjykatën e Elbasanit. Eshtë anti-kushtetuese të rigjykohet. Do t’i drejtohemi Strasburgut".

Ata thanë se, "kjo është dhunë në emër të ligjit. Janë pyetur 81 persona , askush deri më sot nuk dëshmon t’i ketë dhënë para korrupsioni Lefter Kokës. Kemi dorëzuar 3966 faqe me materiale provuese dhe ekspertuese që çmontojnë akuzën. Ato as nuk u lexuan nga prokuroria. Çfarë drejtësie është kjo?...".


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë