Libra

Për herë të parë dy vargje nga Virgjili në një amforë romake: Kush (dhe pse) i gdhendi ato?

Kur shtatë vjet më parë një banor i një fshati në provincën e Kordovës (Spanjë) u dha arkeologëve një fragment të një amfore vaji të epokës romake, ekspertët besuan se kishin të bënin me një gjetje arkeologjike pa ndonjë vlerë të veçantë: megjithatë, duke analizuar atë pjesë 1800-vjeçare, 6 centimetra e gjerë dhe 8 e gjatë, ata arritën të konstatonin se kishte vargje të gdhendura të poemës “Gjeorgjika” e Virgjilit, një prej poetëve më të mëdhenj latinë në histori.

Një zbulim më unik sesa i rrallë, pasi zakonisht në amforat romake gjenden shkrime në lidhje me informacionin praktik, si për shembull sasia e lëngut që përmban ose prodhuesi. Kush ishte autori i shkrimeve? Dhe pse i bëri ato?

Vargjet – “Kur pamë se ishte një prerje e gjatë katër ose pesë rreshta, e dinim se gjetja ishte e jashtëzakonshme”, thotë Iván González Tobar, një arkeolog që mori pjesë në projekt, duke shpjeguar se është e vështirë të gjesh gdhendje më të gjata se një ose dy rreshta në amfora. Teksti, me disa gabime transkriptimi, korrespondon me rreshtin e shtatë dhe të tetë të librit të parë të Gjeorgjikës, një poemë e Virgjilit e shkruar në vitin 29 para Krishtit, dedikuar bujqësisë dhe jetës në fshat: “(Toka) i ndryshoi lisat kaoniane në kallinj të trashë dhe përziu ujin e Achelous me lëngun e rrushit që kishte zbuluar”.

Pse - Lind pyetja: pse dikush donte të gdhendte vargjet e Gjeorgjikës në një amforë? Dhe pse Gjeorgjikës dhe jo, le të themi, Eneidës më të njohur? Ende nuk kemi siguri, por ekspertët po nxjerrin disa hipoteza.

Para së gjithash, duhet theksuar se vargjet janë shkruar nën amforë, në një zonë ku nuk do të viheshin re veçse nga një sy i kujdesshëm. “Ato ishin gdhendur jashtë fabrikës, ndoshta nga kujtesa”, shpjegon González Tobar.

Studiuesit besojnë se autori ishte një person me kulturë të lartë, gjë që do të tregonte gjithashtu se fusha e Guadalquivir ishte e banuar nga njerëz me një nivel të mirë shkrim-leximi.

Kush - Për sa i përket autorit, studiuesit propozojnë mundësi të ndryshme: ai mund të ketë qenë një punëtor i aftë dhe me një nivel të lartë shkrim-leximi, ose dikush nga fshatrat e afërt i lidhur me familjen aristokrate që zotëron fabrikën. Nuk mund të përjashtohet as hipoteza se ishte fëmijë, pasi ishte normale që edhe më i vogli të siguronte këtë lloj fuqie punëtore. /Focus.it/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë