Një ditë përpara skadimit të afati, presidenti Ilir Meta jep sinjale se nuk tërhiqet nga çështja e Sandër Lleshajt, duke paralajmëruar mazhorancën se ndaj tij të mos të bëhet presion dhe se nuk e shkel Kushtetutën.
I ftuar në konferencën ndërkombëtare të gazetarëve të Europës Jug-Lindore “South East Europe Media Forum”, pas fjalës së rastit numri një i shtetit shqiptar iu përgjigj disa pyetjeve të gazetarëe, ku në fokus ishte edhe ripropozimi nga ana e kryeministrit Edi Rama për të dekretuar Sandër Lleshajn në postin e ministrit së Brendshëm.
Presidenti deklaori se nuk do të përfshihet në debate për këtë çështje dhe se thotë se e njeh shumë mirë Kushtetutën e vendit në lidhje me dekretimin e ministrave.
“Për dekretin. Unë nuk jam përfshirë në një deklaratë të tillë dhe asnjë polemikë. Jam President për të respektuar i pari Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe e kam bërë me përkushtim maksimal. Nuk ka asnjë presion që mund të ndikojë tek unë për të cenuar Kushtetutën dhe sikurse ju e dini, jam shprehur edhe publikisht për të informuar Kuvendin, në rast se Kuvendi kërkon sqarime. Kam takuar edhe kryetarin e Kuvendit për këtë çështje”, deklaroi presidenti.
Meta bëri të ditur se e njeh mirë procedurën e emërimit të ministrit, pasi mbi supe ka pasur disa detyra të larta shtetërore.
“Vij në pozitën e Presidentit pas një eksperience si kryeministër dhe si kryetar Kuvendi. E di shumë mirë se si funksionon procedura e emërimit të ministrit në vendin tonë. E di edhe nga pozita e kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit, tani dhe si president i vendit. Në ditët e ardhshme do të merrni një përgjigje institucionale dhe korrekte dhe nuk kam ndërmend të përfshihem në debate të karakterit politik dhe spekulativ”, deklaroi më pas presidenti.
Të premten e shkuar kryeministri Edi Rama ridërgoi në presidencë emrin e Sandër Lleshajt, duke shprehur se i ka dërguar Metës argumentin se pse duhet të dekretohet gjenerali si ministër i Brendshëm. Ndërsa më pas pati një përplasje deklaratash për çështjen e bllokimit të marrjes së informacioneve sa i përket statusit të gjeneral Lleshajt nëse është ushtarak aktiv ose jo.
Të hënën më 12 nëntor Presidenti i Republikës publikoi dy letrën me 14 pyetje jo sekrete sa i përket statusit të Lleshajt nëse është ushtarak në detyrë ose jo. Këto pyetje iu dërguan ministrisë së Mbrojtjes, por në dijeni ishin kryeministri Edi Rama dhe kryeparlamentari Gramoz Ruçi.
Në këtë shkresë përcaktohet se propozimi i kryeministrit vjen me një relacion shpjegues me dy fletë të panënshkruara dhe se duke qenë se Lleshi vjen nga një karrierë e gjatë ushtarake në zbatim Kushtetutës, ku ministri si funksion kushtetues është autoritet civil, sipas Presidentit, emërimi i tij në detyrën e ministrit të Brendshëm paraqet një problematikë themelore kushtetuese.
“Kjo sepse ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhen ose emërohen në detyra të tjera shtetërore dhe as të marrin pjesë në veprimtari politik, ndërkohë që një ushtarak i shërbimit aktiv nuk mund të kandidojë a të zgjidhet ministër apo deputet pa hequr dorë më parë nga detyra”, thuhej në letrën e presidentit.
Por kryeministri Edi Rama iu përgjigj mënjeherë, duke i shprehur Metës për këtë keqardhje, si dhe duke i ofruar si zgjidhje, zhgradimin e Lleshajt dhe më pas emërimin si ministër të Brendshëm.

“Nëse ju do të kishit shkruar qysh në krye të herës ato pyetje që shkresa përmban lidhur me statusin e gjeneralit Sandër Lleshaj me siguri nuk do të kishit përjetuar krisjen e “herës së parë” në procesin e dekretimit të ministrit të Brendshëm. E them këtë sepse jo vetëm ju do të kishit marrë përgjigjen shteruese, që jep, besoj unë, shkresa e ministres për ju, por përtej çdo intepretimit të mundshëm pengues për dekretimin si ministër të statusit të gjeneralit Lleshaj, pa diskutim do të kishit gjetur në rast intepretimesh të ndryshme zgjidhjen e thjeshtë që po prezantoj unë sot”, thuhet në letrën e Ramës.
Ndërsa më pas rendit opsionin e tij për këtë çështje. “Ekspertët tanë mbrojnë gjithashtu bindjen se edhe nëse ky do të ishte rasti, pra edhe nëse gjeneral Sandër Lleshaj do të ishte ushtarak në detyrë, ç’dekretimi i tij si i tillë nga Presidenti i Republikës, do të duhej bërë pas miratimit nga Kuvendi të dekretit tuaj për të si ministër. Por, siç na mëson eksperienca jonë, e juaja dhe imja e kam fjalën, që fatmirësisht nuk jemi juristë, kurdoherë e kudo që ka një rast të tillë, ka gjithnjë juristë me opinione të ndryshme. Kështu që, është e tëra e juaja zgjedhja e opinionit tonë të shprehur në përgjigjen e ministër apo e një opinioni të ndryshëm nga i yni dhe, në rast se ky i fuindit do të jetë rasti, ju mund ta zhdekretoni Sandër Lleshajn si gjeneral aktiv (bazuar në kërkesën e tij drejtuar jush) e pastaj ta dekretoni atë ministër të Brendshëm”, shkruante Rama në letrën e 12 nëntorit.
Ndërsa vetë i propozuari në postin e ministrit, gjeneral Sandër Lleshaj do t’i dërgonte një letër presidentit Meta, ku i kërkonte që ta zhvishte si ushtarak duke hequr dorë nga grada e gjeneralit, me qëllim për t’i dhënë zgjidhje këtij ngërçi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




