Bota

Francë, 3.300 të arrestuar nga fillimi i revoltave. Sulmohet shtëpia e një kryebashkiaku

Gazeta Si – Në Francë, dhuna urbane vazhdoi në lidhje me vrasjen nga policia të 17-vjeçarit Nahel në Nanterre pak ditë më parë.

Mediat raportojnë se janë rreth 3.300 të arrestuar që nga fillimi i revoltave, ndërsa pas natës së pestë të trazirave në qytete të ndryshme, nga Parisi në Marsejë, Lion dhe Nice, janë praangosur mbi 700 persona, pjesa më e madhe e të cilëve minorenë dhe adoleshentë.

Bilanci u dha nga Ministria e Brendshme franceze, e cila foli për “një natë më të qetë falë veprimit vendimtar të policisë”.

Ministri Gérald Darmanin ndoqi evoluimin e situatës nga qendra komanduese në Paris, ku mbërriti edhe kryeministrja Elisabeth Borne, e cila tha: “Kam ardhur të rikonfirmoj mbështetjen time të plotë për policinë dhe atë të qeverisë”.

Ndërkohë, presidenti Emmanuel Macron ka vendosur të shtyjë vizitën e tij shtetërore në Gjermani. Ka qenë një natë e qetë në Nanterre, ku është bërë varrimi i 17-vjeçarit të vrarë në një postbllok policor.

Sot, një makinë me shpejtësi u përplas në portën e shtëpisë së kryebashkiakut të L’Haÿ-les-Rose, në periferi të Parisit dhe më pas u dogj.

Vetë kryebashkiaku raportoi se janë plagosur bashkëshortja dhe një nga dy fëmijët e tij të vegjël, ndërsa ka nisur hetimi për tentativë vrasjeje.

Kryebashkiaku, Vincent Jeanbrun, denoncoi përmes Twitter-it “një atentat të frikës së patregueshme”, që ndodhi rreth orës 1:30 të natës, ndërsa “për tre netë” ai ishte ndalur në bashkinë e angazhuar në emergjencë për shkak të dhunës urbane. Prokuroria e Créteil ka hapur një hetim për tentativë vrasjeje, shton Bfm TV.

Ndërkohë, protesta e dhunshme ka prekur edhe Zvicrën, me incidente në qendër të Lozanës. Në lagjen “Flon” ka pasur dhunë urbane dhe grabitje në mbështetje të protestave në Francë.

Një dyqan në Fnac dhe një dyqan këpucësh janë dëmtuar dhe grabitur. Rreth 200 persona u përballën më pas me policinë e cila mbërriti me mjete rebelimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë