Kombetarja

Euro 2024 kalon nga porta, Berisha dhe Strakosha duhet të rilindin deri në shtator

Gazeta Si – Me dy fitoret që Kombëtarja jonë arriti në dy ndeshjet e fundit kualifikuese të Euro 2024, shanset për të shkuar për herë të dytë në një Europian, këtë herë pa ndihmën e ‘dronit’, janë reale. Kuqezinjtë mbajnë vendin e dytë në grup, por pas 3 ndeshjeve të deritanishme kanë bërë vetëm hapin e parë.

Sfida e madhe e Kombëtares së Silvinjos, një faktor kyç në atmsoferën e krijuar tashmë në skuadër, janë ndeshjet e shtatorit me Çekinë dhe Poloninë. Ato vendosin shumë për objektivin kuqezi, pasi janë përballje me dy rivalët kryesorë.

Kombetarja para ndeshjes me Ishujt Faroe. Gazeta Si, 2 korrik 2023

Deri tani mekanizmi i Silvinjos ka funksionuar mjaft mirë, por në shtator kuqezinjtë kanë nevojë edhe për sigurinë e portës. I vetmi sektor, ku ka dyshime. Në tri 3 ndeshjet me Poloninë, Moldavinë dhe Ishujt Faroe, Kombëtarja jonë pësoi 2 gola, që nuk janë shumë. Në shtator do të jetë shumë më e vështirë dhe Etrit Berisha, titullar në dy ndeshjet e fundit, apo dhe Tomas Strakosha, duhet të jenë në formën më të mirë në atë kohë për të ndihmuar skuadrën.

Që të dy ‘gardianët’kuqezi vijnë pas një sezoni të vështirë dhe duhet të rilindin në një farë mënyre për të vënë edhe ata dorën e tyre në një arritje të mundshme të Kombëtares sonë. Berishën e kërkojnë në Turqi, ku mund të luajë rregullisht dhe kjo do të ishte diçka shumë pzoitive.

Edhe Strakosha ka nevojë për minuta, sepse është tjetër gjë kur luan dhe tjetër gjë kur qëndron në stol. Nëse të paktën një nga dy portrierët e Kombëtares do jetë në formën optimale, duke llogaritur edhe rikthimet e Brojës, Gjasulës, Balliut dhe Kumbullës, vërtet Shqipëria do të kishte mundësinë e artë për të shkuar në Europian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë