Gazeta Si – SHBA ka konsideruar miratimin e sistemit të raketave taktike me rreze të gjatë ATACMS për Ukrainën.
Këtë e shkruan ekskluzivisht gazeta” Wall Street Journal”, duke cituar liderët amerikanë dhe evropianë. Atacms ka një rreze prej rreth 300 km, e cila është e mjaftueshme për të goditur objektivat ruse shumë prapa vijës së frontit, madje edhe në Krime ku fillojnë sulmet me dronët e prodhimit iranian.
Joe Biden nuk e ka dhënë ende miratimin e tij, por burimet thonë se ata kanë parë shenja të hapjes edhe në mesin e më ngurruesve në qeverinë amerikane, duke filluar nga Shtëpia e Bardhë.
Po ashtu, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu tha në një intervistë me “Wall Street Journal”, se Izraeli heziton të furnizojë Kievin me armë (duke filluar me sistemin e avancuar të mbrojtjes ajrore “Iron Dome”), sepse ato mund të përfundojnë në duart iraniane.
“Ne kemi shqetësime që besoj se asnjë nga aleatët perëndimorë të Ukrainës nuk i ka”, – tha kryeministri, pas presionit nga ligjvënësit amerikanë dhe zyrtarët e Kievit për të mbështetur forcat e armatosura të Ukrainës me dërgesa armësh.
Izraeli duhet të sigurojë “lirinë e veprimit” të forcave të tij të armatosura në Siri, ku forcat ajrore të Tel Avivit kryejnë sulme të shpeshta ajrore kundër objektivave iraniane në kontakt të ngushtë me forcat ruse, të cilat mbështesin qeverinë e Bashar al Asadit.
Netanjahu shtoi se në kontekstin e konfliktit me intensitet të lartë në Ukrainë, sistemet e armëve të furnizuara nga Izraeli mund të kapeshin dhe të përfundonin në duart e Teheranit, i cili ka zhvilluar marrëdhënie të ngushta ushtarake me Rusinë muajt e fundit.
Ndërkohë, në një konferencë me gazetarët, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, tha se në Bjellorusi do të aktivizohet një bateri e re e sistemeve antiraketë S-400.
Lavrov gjithashtu argumentoi se Rusia “do të dalë nga rebelimi i Wagnerit më e fortë se më parë”. “Çështja e pranisë së grupit Wagner në Afrikë, rregullohet drejtpërdrejt nga kontratat e vendeve afrikane me këtë kompani”, – shtoi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



