Paris – Nata e tretë e protestave që kanë shpërthyer në Francë shënoi incidente të rënda, ku u arrestuan qindra persona, kryesisht nga 14 deri në 18 vjeç, sipas Ministrisë së Brendshme.
Përplasjet më të rënda ndodhën në rajonin e Parisit, në kryeqytet dhe në Nanterre (ku 17-vjeçari Nahel u vra nga një polic mëngjesin e së martës gjatë një kontrolli rrugor), por skena kaosi u panë në Roubaix, në veri të kufirit me Belgjikën, në Marsejë.
Në mes të ditës, Emmanuel Macron do të kryesojë një tjetër mbledhë për situatën ku do të diskutohet nëse do të shpallet gjendja e jashtëzakonshme siç kërkohet nga eksponentë të së djathtës dhe asaj ekstreme.
Kreu i shtetit francez ndodhet në Bruksel për Këshillin Evropian, por mund të kthehet në Paris para përfundimit të takimit me partnerët evropianë.
Mbrëmë ishte nata e plaçkitjeve nëpër dyqane, reparte e supermarkete, përveç makinave të zakonshme të djegura, fishekzjarrëve dhe përplasjeve me policinë, e cila ndërhyri me 40 mijë burra në të gjithë Francën dhe me mjete të blinduara të forcave speciale BRI (xhandarmëri) dhe RAID.
Në këto kushte është fat që nuk ka pasur të vdekur. Në Paris, pas mesnate, u grabit dyqani Nike në qendrën tregtare Forum des Halles dhe dyqani Zara në rue de Rivoli, si dhe iu vu zjarri restorantit të zinxhirit Five Guys në Halles.
Zjarre ka pasur edhe në Nanterre, ku jetoi dhe vdiq Nahel dhe ku po dje u zhvillua një marshim paqësor, fillimisht siç kërkoi nëna e tij dhe më pas u shoqërua me incidente dhe përplasje mes protestuesve dhe policëve.
Në Montreuil, në periferi të Parisit, qindra djem me fytyra të mbuluara dhe të armatosur me shkopinj plaçkitën qendrën tregtare, dhe në pjesë të ndryshme të Francës u panë djem duke thyer grilat e supermarketeve dhe më pas i plaçkitën.
Autoritetet shpresojnë të ndalojnë revoltën përpara se të marrë përmasat e krizës së vitit 2005, e cila zgjati mbi një muaj dhe la mbi 200 të plagosur, por shkalla e dhunës dhe dëmtimi i këtyre tre netëve të para ka arritur një intensitet më të lartë.
Florian M., polici 38-vjeçar që qëlloi Nahelin, akuzohet për vrasje me dashje dhe ndodhet në paraburgim. Nga burgu ai i ka kërkuar falje familjes së djalit.
“Ai nuk zgjohet në mëngjes për të vrarë – tha avokati i tij, Laurent-Franck Liénard, – ai nuk donte ta vriste atë djalë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



