Bota

Përleshje dhe 150 të arrestuar në Francë për vrasjen e adoleshentit nga policia

Gazeta Si – Në Francë u shënua nata e dytë e incidenteve në shumë qytete pas vrasjes së 17-vjeçarit Nahel dy ditë më parë në Nanterre nga një polic në një postbllok.

Gjatë përleshjeve u arrestuan 150 persona. Tensionet e para u regjistruan në Toulouse, në jugperëndim dhe në Lille, në veri, me zjarre kazanësh dhe objekte të hedhura në drejtim të policisë.

Pak pas mesnate protestat u shumuan, në periferi të Parisit por edhe në qytete të tjera të mëdha si Lion apo Tuluzë.

Flakë pati gjithashtu në Bashkinë e Mons-en-Baroeul, pranë Lille. Pas dhunës, Emmanuel Macron mblodhi njësinë ndërministrore të krizës në Beauveau. “Sulmet ndaj institucioneve janë të pajustifikueshme, tha ai. – Orët e ardhshme, – sqaroi presidenti francez, – duhet të çojnë në reflektim dhe respekt. Dhuna dhe sulmet ndaj institucioneve” pas vrasjes së një 17-vjeçari nga një oficer policie, “nuk mund të justifikohen”.

“Orët e ardhshme, – shpreson ende Macron, – do të jenë orët e respektit dhe kujtimit”.

Nahel M., 17 vjeç, u qëllua me armë zjarri në gjoks mëngjesin e së martës. Ky incident ka nxitur debatin në Francë lidhur me taktikat që përdor policia, e të cilat për një kohë të gjatë janë kritikuar nga grupet për të drejtat e njeriut lidhur me trajtimin e njerëzve me të ardhura të ulëta, veçmas të pakicave etnike.

Nëna e adoleshentit bëri thirrje për një marsh të enjten, në nderim të djalit të saj të vetëm.

Nahel M. Ishte ndaluar nga policia rrugore, derisa ai po ngiste një makinë të llojit Mercedes.

Policia fillimisht kishte thënë se kishte qëlluar adoleshentin, pasi ai ishte nisur me makinë drejt tyre, por këto deklarata janë në kontradiktë me disa video që kanë qarkulluar në rrjetet sociale.

Në videot e publikuara shfaqen dy policë duke qëndruar pranë makinës së tyre të parkuar, teksa njëri prej zyrtarëve i drejton armën shoferit. Më pas dëgjohet një e shtënë, teksa makina që po ngiste adoleshenti, lëvizë për një kohë të shkurtër dhe më pas përplaset.

Më 2005, në Francë kishin shpërthyer trazira të mëdha pas vdekjes së dy djemve me ngjyrë gjatë një ndjekjeje policore. Ato protesta rezultuan me rreth 6.000 të arrestuar.

Më 2017, Franca ndryshoi ligjet duke u dhënë më shumë të drejta policëve sa i përket përdorimit të armëve të tyre. Vitin e kaluar, 13 persona u vranë pasi refuzuan të ndalonin për kontrolle në trafik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë