Samiti i Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në Podgoricë ka shënuar një skandal më vete.
Shtetet anëtare janë ulur në tryezë duke u përfaqësuar me emrat e kryeqyteteve. Një shkelje në dukje e protokollit dhe kjo duket lidhet me faktin se në tryezë ishin Kosova dhe Serbia. Dihet që Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe kjo siç duket ka detyruar organizatorët që ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani të ulen në një tavolinë vetëm duke pasur përpara emrat e kryeqyteteve Beograd dhe Prishtina.
Diçka e pazakontë një gjë e tillë. Ndërsa ministri i jashtëm turk, kishte përpara emrin jo të Turqisë, por të Ankarasë. Shqipëria përfaqësohej nga presidenti Bajram Begaj, ndërsa në tryezë kishte letrën Tirana. I vetmi përfaqësuesi i Bashkimit Europian, mbante emrin e organizmit që përfaqëson.
Anëtarët e SEECP janë: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Mali i Zi, Greqia, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Rumania, Sllovenia, Serbia, Turqia dhe Kosova. Organi ekzekutiv i SEECP – Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RÇ), përfshin 46 vende, organizata dhe institucione financiare ndërkombëtare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


