Treg

Lagarde: Do rrisim sërish normat e interesit në korrik. Nuk e dimë kur do jetë cikli i fundit i rritjes

Banka Qendrore Europiane ndoshta nuk do të jetë në gjendje të deklarojë fundin e ciklit të saj historik të rritjes së normave të interesit sipas presidentes Christine Lagarde.

Ajo deklaroi se korriku do të sjellë një rritje të nëntë radhazi në normat e interesit për të ulur inflacionin.

“Nuk ka gjasa që në të ardhmen e afërt banka qendrore të jetë në gjendje të deklarojë me besim të plotë se normat maksimale nuk do rriten më,” tha Lagarde të martën, 27 qershor, në mbledhjen vjetore të BQE-së në Sintra, Portugali.

Fazat e fundit të nxitjes së normës së BQE-së janë fokusi teksa inflacioni total zbehet, por presionet themelore të çmimeve rezultojnë kokëfortë. Një shumicë e ekonomistëve parashikojnë se zyrtarët do të ndalojnë pas muajit të ardhshëm.

Lagarde dhe kolegët e saj po mblidhen mes një sfondi të përkeqësuar ekonomik. Të dhënat e javës së kaluar sinjalizuan se aktiviteti në zonën e euros me 20 vende pothuajse ka ngecur në qershor. Të hënën, shifrat treguan një rënie të papritur të madhe në perspektivën e biznesit të Gjermanisë.

Guvernatori i bankës qendrore të Letonisë, Martins Kazaks së bashku me homologun e tij lituanez Gediminas Simkus, lanë derën e hapur për rritjen e normave përtej korrikut.

“Nuk do të habitesha nëse vazhdojmë të rrisim normat edhe në shtator,” tha Simkus.

“Ne duhet të komunikojmë qartë se do të qëndrojmë në ato nivele për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, tha Lagarde.

“Kjo do të sigurojë që normat të mos nxisin pritshmëri për një ndryshim shumë të shpejtë të politikës dhe do të lejojë që të materializohet ndikimi i plotë i veprimeve tona të së kaluarës.

Përballë një procesi inflacioni më të vazhdueshëm, ne kemi nevojë për një politikë më këmbëngulëse – një politikë që jo vetëm prodhon shtrëngime të mjaftueshme sot, por gjithashtu ruan kushte kufizuese derisa të mund të jemi të sigurt se kjo fazë e dytë e procesit të inflacionit është zgjidhur”, tha ajo.

Burimi: Bloomberg/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë