Kombetarja

Duka, superlativa për kuqezinjtë e Italisë: S’e kuptoj Inzagin për Asllanin!

Gazeta Si – Kreu i Federatës Shqiptare të futbollit, Armand Duka, në një intervistë për “L’Interista” ka folur me superlativa për disa nga futbollistët e Kombëtares, të cilët luajnë në Serinë A. Më tepër ai ka folur për Kristjan Asllanin, autor i një goli të mrekullueshëm ndaj Ishujve Faroe, duke dalë në një farë mënyre kundër trajnerit Simone Inzagi për minutazhin e paktë që i ka dhënë mesfushorit.

“Asllani është lojtar i afirmuar tashmë, është një talent me shumë personalitet dhe me mundësi të mëdha përmirësimi. Këtë sezon është përmirësuar shumë në aspektin sportive, duke punuar me lojtarë të mëdhenj, si Mkhitarian, Brozovic, Çalhanoglu dhe Barela. Të jem i sinqertë, nuk i kuptoj kriteret që trajneri Simone Inzagi përdor për futbollistin shqiptar.

Presidenti i FSHF-se, Armand Duka. Gazeta Si, 23 qershor 2023

Mbase nuk e pëlqen mjaftueshëm sportivisht, lojtari meriton më shumë. Më duket e çuditshme që një lojtar si Asllani, me ato karakteristika që ka, ta mbyllë sezonin me kaq pak minuta. Ai meriton më shumë hapësira. Për ne është e rëndësishme që Asllani të luajë sa më shumë. Jam i bindur se është zëvendësuesi ideal i Brozoviçit”, – ka theksuar Duka.

Pastaj presidentit i FSHF-së ka dhënë mendimin e tij edhe për Bajramin, Gjimshitin dhe Kumbullën: “Nedim Bajrami ka shumë talent, në dy ndeshjet e fundit me Kombëtaren ka shënuar dy gola. Vlerat e tij janë të padiskutueshme, e shoh shumë mirë edhe në klube më të mëdha, i duhet shumë pak për të bërë një hap të madh përpara.

Gjimshiti ka treguar një formë optimale në sezonet e fundit me Atalantën, te Shqipëria është pikë thelbësore në mbrojtje. Për mendimin tim, Gjimshiti dhe Bajrami janë gati të luajnë në nivele më të larta.

Për Kumbullën më vjen shumë keq që u dëmtua. Mungesa e tij ndihet në përfaqësuesen shqiptare. Kumbulla është i ri, kam besim se do të rikthehet më shpejt se herën e shkuar. Mund të konkurrojë për një vend titullari te Roma, duke njohur ambicien e tij jam i bindur se mund ta realizojë këtë objektiv”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë