Nga Gazeta Si- Studentët e mjekësisë zhvilluan ditën e sotme protestën e dytë kundër vendimit të Ministrisë së Arsimit që ata të firmosin para fillimit të studimeve se do të qëndrojnë në vend për të punuar të paktën për 3 vite pas përfundimit të Universitetit. Në të kundërt, studentët do paguajnë tarifën vjetore të shkollimit, me koston reale, vlerë e cila ende nuk është përcaktuar. Por këtë gjë, studentët e mjekësisë e kundërshtojnë. Ata u shprehën se edhe pse afati që u kishin lënë institucioneve për t’iu kthyer një përgjigje ishte deri të enjten, nuk pati asnjë sinjal.







Në këto kushte, studentët e mjekësisë dolën sërish në protestë, të vendosur se do të protestojnë derisa ky vendim të anulohet.
Një prej të rinjve tha se protestat do të jenë paqësore e marshimi vijoi nga Universiteti deri tek Ministria e Arsimit, si organi përgjegjës lidhur me këtë vendim.
“Aktualisht nuk ka konsultime, ka patur dy takime dhe nuk ka pasur tentativa të ketë sërish. Ne kemi mbetur në nivelin e protestave”, tha studenti.
Studentët e Mjekësisë kanë bërë edhe një listë me disa kërkesa që do e dorëzojnë tek organet përkatëse sapo ta kenë të përfunduar dhe firmosur nga të gjithë studentët e mjekësisë.
“Kemi dhe disa kërkesa që sapo ti diskutojmë dhe të jenë dakord të gjithë studentët do ia dërgojmë Ministrisë së Arsimit. Pika kryesore e kësaj liste është sigurisht kundërshtimi i propozimit për të firmosur kontratën dhe për të paguar tarifën e plotë”, thanë studentët gjatë protestës.

Pikë tjetër e kërkesës së studentëve është përmirësimi i kushteve në sallat e leksioneve dhe seminareve, të kenë ambiente të posatçme për kryerjen e praktikave, rivlerësim i literaturës me të cilën studiojnë, standardizimi i kryerjes së praktikave nëpër pavione dhe ringritjen e strukturave të Qeverisë studentore.
Ndërkohë, studentët thanë se janë në diskutime për të vendosur për protestën e radhës në rast se nuk marrin një përgjigje nga Ministria.
Në shenjë proteste, studentët kanë varur bluzat e bardha në kangjellat e Ministrisë së Arsimit, pak para mbylljes së protestës.



Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



