Treg

Eksportet sërish me tkurrje, u ulën 11.7% në maj

Nga Gazeta ‘Si’-Eksportet e mallrave janë tkurrur për të tretin muaj radhazi.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në maj eksportet arritën në vlerën e 40 mld lekëve duke u ulur me 11.7% krahasuar me majin e 2022-shit.

Për pesë muajt e parë të vitit, eksportet e mallrave arritën vlerën 196 mld lekë duke u ulur me 5.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit më parë.

Grupet kryesore që kanë ndikuar në këtë rënie janë mineralet dhe lëndët djegëse, sëbashku me materialet e ndërtimit, përkatësisht me 7.1% dhe 10.4%.

Me ecuri më të mirë paraqiten tekstilet të cilat janë rritur 1% dhe grupi “ushqim, pije dhe duhan” me 2.9%.

Ndërsa grupet që kanë ndikuar më negativisht në raport vjetor gjatë pesëmujorit janë “Materiale ndërtimi dhe metale” me 6.1% dhe “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 1.7%.

Importet e mallrave në maj u rritën me 1.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar duke arritur në nivelin e 81 mld lekëve. Më pozitivisht ka kontribuuar grupi “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 4.8%.

Ndërsa për pesë muajt e parë të vitit, importet janë ulur me 0.3%.

raportimin e muajit prill INSTAT theksoi se zhvlerësimi i euros ka ndikuar në volumin tregtar, krahasuar me një vit më parë.

Sipas të dhënave të INSTAT deficiti tregtar në muajin maj është 41mld lekë duke u rritur me 17.8% krahasuar me një muaj më parë.

Ndërsa për pesëmujorin deficiti tregtar arriti vlerën e 167 mld lekëve duke u rritur me 6.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022-shit.

Bien eksportet me Italinë, rriten me Kosovën dhe Spanjën

Në maj vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë janë: Italia (11.7 %), Gjermania (31.2 %) dhe Maqedonia e Veriut (19.0 %).

Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritje më të madhe, janë Kosova (23.6 %), Greqia (2.8 %) dhe Spanja (331.5 %).

Gjatë këtij pesëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (10.9 %), Gjermania (29.2 %) dhe Kina (45.9 %).

Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritjen më të madhe, janë: Greqia (40.3 %), Kosova (7.2 %) dhe Maqedonia e Veriut (2.4 %).

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 58.6 %, të gjithë tregtisë.

Në maj eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 73 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 51.5 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (31.3 %), Kina (8.3 %), Greqia (6.6 %) dhe Gjermani (6.1 %).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë