Nga Gazeta ‘SI’ – Lëvizjet e kursit të këmbimit ishte një ndër temat e trajtuara midis Guvernatori të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe shefen e misionit të FMN-së për Shqipërinë , Anke Weber.
Guvernatori ripërsëriti se tregu valutor ka funksionuar normalisht gjatë dy viteve të fundit, duke mos shfaqur çrregullime apo fenomene spekulative, “çka sugjeron se forcimi i kursit të këmbimit të lekut është një fenomen i përcaktuar nga ekonomia reale dhe jo nga tregu financiar.”
Sejko shtoi se të dhënat e bilancit të pagesave tregojnë një rritje të konsiderueshme në investimet e huaja direkte, një rritje të konsiderueshme të të ardhurave nga turizmi, rritje të eksporteve në total, si dhe një rritje të remitancave në krahasim me vitin e kaluar.
Shefja e Misionit të FMN-së konstatoi se trendi forcues i kursit të këmbimit është në linjë me rritjen e eksporteve dhe përmirësimet strukturore në balancat e jashtme të ekonomisë shqiptare. Në këtë kontekst, ajo nënvizoi dobinë dhe përfitimet që ka ekonomia shqiptare nga regjimi i lirë i kursit të këmbimit dhe theksoi se, në përputhje me këtë regjim, ndërhyrja në tregun valutor duhet të kufizohet në kushtet e çrregullimit të tregut, duke ruajtur rolin e kursit të këmbimit si amortizues goditjesh.
Takimi vazhdoi me të tjera tema, përfshirë sektorin bankar, ku Weber u shpreh se në përgjithësi, ka treguar rezistencë ndaj goditjeve të njëpasnjëshme, me pozicione të shëndetshme kapitali dhe likuiditeti. Ajo inkurajoi monitorimin e vazhdueshëm të rrezikut të kredisë bankare, të kursit të këmbimit dhe të normës së interesit.
Gjatë takimit, Sejko vlerësoi se ekonomia shqiptare pritet të shënojë rritje në vitin 2023, duke dëshmuar qëndrueshmërinë e sektorit financiar, si dhe fleksibilitetin e sektorit privat. Guvernatori theksoi se rritja ekonomike pritet të udhëhiqet nga rritja e konsumit privat dhe e eksporteve në planin e kërkesës agregate, dhe nga zgjerimi i sektorit të shërbimeve dhe të ndërtimit në planin sektorial. Lidhur me sektorin bankar, Guvernatori u shpreh se veprimtaria e tij është zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme, me tregues të përfitueshmërisë dhe kapitalizimi në nivele të përshtatshme për të ofruar mbështetje për stabilitetin financiar të vendit.
Në vijim, Guvernatori theksoi se inflacioni ka qenë në qendër të vëmendjes të Bankës së Shqipërisë dhe se politikat monetare dhe ato ekonomike të ndjekura kanë ndihmuar në ruajtjen e një niveli relativisht të ulët inflacioni krahasuar me vendet e rajonit dhe në uljen e pasigurisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




