Politike

Topalli: Basha, gjoja opozitë, i çon sms kundërshtarëve

Ish-numri dy i Partisë Demokratike , Jozefina Topalli ka sulmuar linjën që po ndjek lidershipi i opozitës. Me anë një të postimi në Facebook, ajo akuzon ashpër kryedemokratin Lulzim Basha për shkak se ka braktisur atë që duhet të bëjë çdo opozitë, të mbrojë qytetarët shqiptarë dhe të t’u ofrojë atyre alternativa, duke ia humbur shpresën. Ish-kryepalarmentarja konteston mënyrën e bojkotit të Parlamentit.

“Qeveria aktuale ka shurdhuar ndaj thirrjeve të FMN dhe Bankës Botërore për të bërë kujdes me koncesionet, si një risk i madh i destabilizimit të vendit. Prej disa ditësh media të ndryshme kanë lëshuar alarmin për miliarda euro të tjera të parashikuara në buxhetin e shtetit për Koncesionarët dhe oligarkët e vendit. Buxheti i dorëzuar para disa javësh në Kuvend, në fakt po e çon vendin drejt destabilizimit financiar. Nëse ka një arsye të madhe e të vetme për të cilën opozita duhet të jetë në Parlament është momenti ku diskutohet për lekët e qytetareve, për rritjen e taksat e bizneseve, për rrogat e mësuesve, të infermiereve, të nëpunësve; për pensionet e 600 mijë shqiptarëve, për shkollat e fëmijëve, për spitalet dhe shëndetin e njerëzve; për të mbrojtur vendin nga rreziku i destabilizimit financiar; për të shkuar në arenën e debatit, për të cilët kanë votuar shqiptaret, e për t’ i dal zot atyre; për të folur në emër të tyre e vuajtjes së tyre, për të ngritur zërin për papunësinë, për të bërë betejë kundra rritjes së hendekut mes të varfërisë e oligarkëve. Dhe pasdite pastaj për të shkuar gjithë Partia me i dal zot atyre, që po i shkatërrojnë shtëpitë pa i siguruar një çati për të jetuar”, shkruan Topalli.
Ajo akuzon PD-në se i ka lënë në baltë këtë shtresë të pambrojtur, duke shtuar se Basha po i mbron oligarkët.

“Unë nuk e di ça bën kjo, që demek quhet opozitë.. as nuk shkon në Parlament dhe as nuk djeg mandatet. Edhe bojkoton buxhetin, por nuk bojkoton udhëtimet jashtë shteti me “kundërshtarët”. Thotë se do mbroj qytetarët qe do i prishin shtëpitë, por ne fakt ata i ka lënë në baltë njëlloj si la në baltë kuksianët, që u ngritën kundër taksës së Rrugës Kombit; Sa për adet i çon 2-3 te emëruar të tij,që askush nuk i llogarit, dhe si Pilati lan duart. Siç ka bërë në fakt përherë e për çdo gjë. Flet në parim për oligarkë , por ndërkohë këta të fundit financojnë arkën e kunatit, siç tregon media”, shkruan Topalli.

Si pjesë e kritikave ndaj lidershipit të PD-së, ish-kryeparlamentarja rendit edhe qëndrimin që po mbahet me zgjedhjet e ardhshme lokale. “Nuk shkon në Parlament dhe nuk çon kandidatura as për KQZ ( qe është votuar si formulë me konsensus). Thotë se dua zgjedhje politike , por ndërkohe nuk don të hyje as në zgjedhjet lokale. Flet për vjedhje të zgjedhjeve kur vete ishte në qeveri me hajdutin dhe e votoi rezultatin e votimit me unanimitet ( 7:0). Thotë se dua votim të ndershëm , kur vetë ka vrare votën brenda partisë. Bën sikur sulmon politikanët e majtë, por pas deklaratave i çon “sms” përgëzimi”, shkruan më tej ajo.
Duke e akuzuar për njeriun që shiti opozitarizmin, Topalli përmend 4 lojtarët e politikës së shahut, duke mos dhënë emra konkret, veç Ramës dhe Bashës, për dy të tjerët, duke
theksuar se këta duhen larguar.
“Nëse Edi Rama do mbahet mend si Kryeministri që mbushi vendin me droge, LB do mbahet mend si njeriu qe shiti opozitarizmin dhe detyroi 600 000 shqiptarë që të ikin,sepse nuk shohin alternative, as shpresë. Nuk shohin alternative se ata janë bashke. Dhe njëlloj e quajnë politikën jo mision siç duhet të jetë, por lojë shahu. Vendin e kanë marrë peng 4 vetë. Këta 4 shahistët, që nuk kanë luajtur kurrë shah, tani po luajnë mbi dhimbjet e varren e një populli. Këta duhen hedhur në kanal!”, përfundon Topalli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë