Kombetarja

Policia rrit gatishmërinë për Shqipëri-Moldavi, masa ‘ekstreme’ sigurie

Pavarësisht entuziazmit për ndeshjen e radhës së Kombëtares, situata deri diku është delikate në aspektin sportiv, pasi na duhet medoemos fitorja ndaj Moldavisë për të arritur objektivin e kualifikimit në Gjermani 2024. Situata është optimiste për faktin se në letër Shqipëria është një skuadër më e fortë se kundërshtari i saj dhe luan në shtëpi, ndaj dhe fitorja duket më e arritshme.

Megjithatë, edhe në aspektin e sigurisë kjo ndeshje me sa duket ka një specifikë të veçantë. Policia e Shtetit është duke marrë masa relativisht të mëdha, për të mos thënë ekstreme për këtë takim. Gazeta Si ka mësuar se do të jenë rreth 1200 forca policie të angazhuara për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë përpara, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes.

Një shifër kjo që i afrohet finales së Ligës së Konferencës, e zhvilluar në kryeqytet një vit më parë, kur u angazhuan 1500 forca policie. Arsyeja? Zyrtarisht nuk ka një komunikim, por grupet e shumta të tifozërive nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, duke i bashkuar këtu grupimin më të madh të ‘Tifozëve Kuq e Zi’, mund të sjellin një lloj shqetësimi, për të mos thënë tensioni në këtë ndeshje.

Foto ilustruese. Tifoze kuqezi ne ‘Air Albania’. Gazeta Si, 17 qershor 2023

Situata në veri të Kosovës dhe tensionet e vazhdueshme që po ndodhin prej javësh atje rrezikojnë që të marrin një mesazh edhe nga një shfaqje e tillë ndërkombëtare siç është kjo ndeshje zyrtare për eliminatoret e Europianit.

Burimet tona konfirmojnë se do të jenë rreth 600 tifozë të grupimit “Tifozët Kuq e Zi”, 150 tifozë të grupit të tifozëve nga Prishtina “Plisat”, rreth 150 të grupimit “Ilyrian Elite”, 200 nga “Shvercerat” e Shkupit dhe 150 grupimi i “Ballistëve” të Tetotvës po nga Maqedonia e Veriut.

Rreziku i shfaqjeve të mesazheve politike, apo etnike, që kanë si faturë gjobat financiare, mund të sjellin edhe pasoja më të rënda për skuadrën e futbollit, ku në disa rase, kryesisht me ngjarjet dhe tifozët në Ballkan, ka pasur edhe masa sportive për skuadrat, tifozët e të cilave kanë shfaqur mesazhe urrejtjeje, apo sjellje jo korrekte.

Veç forcave të sigurisë së rendit, ku bëhet fjalë për policë të sektorëve të ndryshëm, nga ato rrugorë, të rendit dhe deri te forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, për këtë ndeshje, siç tashmë është kthyer në traditë për të zbatuar standardet ndërkombëtare, do të ketë edhe roje private, apo siç quhen ndryshe, “steward”.

Për këtë ndeshje pritet të jenë 300 deri në 350 ‘steward’ që i stohet numrit të forcave të policisë, por që veprojnë vetëm brenda territorit të stadiumit.

Nga precedentët e shkuar është edhe ai për ndeshjen miqësore me Italinë, ku grupimi i “Plisave” krijoi disa incidente me tifozët italianë, duke i rrëmbyer flamurin e tyre kombëtar. Një gjest që shkaktoi irritimin e palës italiane dhe ku u krijuan disa konflikte fizike, siç raportohet edhe në raportet e policisë së shtetit.
Në përfundim të ngjarjes, në shenjë proteste, tifozët italianë braktisën tribunën e tyre, ndërkohë që policia e Tiranës shoqëroi katër persona të grupimit të tifozerisë së “Plisave”.

Kjo ka bërë që kjo ndeshje me Moldavinë, për këto arsye të ketë një vëmendje kaq të madhe edhe në aspektin e sigurisë, ku për policinë konsiderohet si një event me rrezikshmëri dhe për këtë arsye janë përshkallëzuar edhe masat e marra.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë