Filma

‘Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur’ vazhdon rrugëtimin në festivale ndërkombëtare, do të shfaqet në Gjermani

Filmi “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” po vazhdon rrugëtimin e tij në festivale ndërkombëtare. Filmi me skenar dhe regji nga Gentian Koçi do të shfaqet dhe në festivalin e filmit që do të zhvillohet në Mynih të Gjermanisë.

Kjo bëhet me dije nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, që shprehet se filmi po vazhdon një rrugëtim të suksesshëm.

“Filmi ‘Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur’ i regjisorit Gentian Koçi vazhdon rrugëtimin e suksesshëm nëpër festivale ndërkombëtare. Këtë herë filmi do të shfaqet në Gjermani, në garën 'Cinevision Competition' (on international directorial talents who break new ground with their film language) të FILMFEST MUNCHEN. Suksese ekipit”, shprehet Qendra Kombëtare e Kinematografisë (QKK).

Filmi pritet që të shfaqet në Mynih në datat 27 dhe 29 qershor me pjesëmarrjen e regjisorit Gentian Koçi.

Festivali këtë vit nis më datë 23 qershor dhe do të vijojë deri më 1 korrik në Mynih. Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Mynih është festivali më i madh veror i filmit në Gjermani dhe i dyti vetëm për nga madhësia dhe rëndësia pas Berlinales. Ai mbahet çdo vit që nga viti 1983 dhe zhvillohet në fund të qershorit dhe fillim të korrikut. Festivali i fundit u mbajt nga data 23 qershor deri më 2 korrik 2022.

Filmi shqiptar në festivale

Filmi me skenar dhe regji nga Gentian Koçi, prodhim i shtëpisë kinematografike “ARTALB Film Productions” shënoi më parë premierën botërore në festivalin e filmit “Tallinn Black Nights” dhe ishte pjesë e konkurrimit zyrtar në garën kryesore për çmimin “Filmi Artistik Më i Mirë”.

“Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”, pas premierës botërore në Festivalin e Filmit Tallinn Black Nights, në Estoni, u shfaq edhe në Tiranë.

Ky film ishte edhe kandidatura e vendit tonë në çmimet “Oscar” 2023.

Filmi i Gentian Koçit cilësohet si dramë ekzistencialiste, bazuar në ngjarje të vërtetë. Siç është bërë me dije gjatë përgatitjes së filmit tre aktorët kryesorë dhe producentja Blerina Hankollari kaluan disa muaj me Shoqatën Kombëtare të të Shurdhërve në Shqipëri (ANAD) për të mësuar gjuhën shqipe të shenjave. Ka pasur përfaqësues nga kjo shoqatë po ashtu ishin të pranishëm në sheshxhirim, duke stërvitur aktorët dhe duke u siguruar që gjuha e shenjave të interpretohej saktë.

Në qendër të filmit janë Agimi dhe Gëzimi, dy vëllezër binjakë identikë të pandarë, shurdhmemecë, rreth të dyzetave, që jetojnë nën të njëjtën çati. Në rolet kryesore janë dy aktorët e njohur portugezë Edgar Morais dhe Rafael Morais. Filmi sjell dhe debutimin e aktores shqiptare Drita Kabashi.

Ky film është një bashkëprodhim midis Shqipërisë, Portugalisë, Greqisë dhe Kosovës. “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” është filmi i dytë artistik i Gentian Koçit, pas “Daybreak”, i cili pati premierën botërore në Festivalin e Filmit në Sarajevë dhe ishte kandidati i Shqipërisë për “Oscars” në vitin 2017. Filmat e regjisorit Koçi kanë marrë pjesë në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare të filmit, ku nuk kanë munguar dhe vlerësimet. Filmi i tij “Dita zë fill” pati premierën në festivalin e Sarajevës, ku fitoi “Zemrën e Sarajevës” për aktoren më të mirë protagoniste, Ornela Kapetani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë