Kombetarja

Sot Shqipëri-Moldavi/ Ndeshje kyç për Euro 2024, Silvinjo me 4 sulmues që në fillim

Gazeta Si – Erdhi momenti i debutimit para tifozëve kuqezi për trajnerin Silvinjo. Braziliani e di mirë që ndeshja e sotme në ‘Air Albania’ (ora 20:45) me Moldavinë, e dyta në këto kualifikuese të Euro 2024, ka shumë rëndësi për skuadrën, atë personalisht dhe objektivin.

Trajneri u shpreh i bindur në konferencë shtypi për atë që kërkon dhe për formacionin që do të hedhë në fushë, edhe pse nuk zbuloi shumë detaje. Megjithatë, zgjedhjet e tij janë pak a shumë të lexueshme. Shqipëria do të zbresë në fushë me një formacion sulmues, sepse vetëm fitorja e fut në rrugën drejt Europianit të Gjermanisë. Një skemë 4-2-3-1, që shpesh shndërrohet në 4-1-4-1.

Kuqezinjtë pritet të luajnë me 4 lojtarë sulmues që nga minuta e parë, të udhëhequr nga Sokol Cikalleshi në majë. Pas tij do të veprojë Nedim Bajrami, kurse nga krahët Myrto Uzuni në të majtë dhe Jasir Asani në të djathtë. Janë të katër lojtarë me aftësi të mira shënimi, që e njohin portën kundërshtare.

Kjo është strategjia e Silvinjos për të çarë një Moldavi që pritet të luajë e tërhequr. Në dy ndeshje që ka luajtur, ajo nuk ka pësuar humbje, një mesazh ky për Kombëtaren tonë dhe stafin e saj. Ndoshta do të duhet pak durim për të arritur te goli.

Në qendër të mesfushës do të jenë Ylber Ramadani, me më shumë detyra mbrojtëse, dhe Keidi Bare, i cili rikthehet në Kombëtare pas dëmtimit dhe mendohet të jetë një element i rëndësiushëm në të dyja fazat e lojës, mbrojtje dhe sulm. Mbrojtja, ku mungojnë Kumbulla dhe Balliu, do të përbëhet nga Hysaj në të djathtë, Gjimshiti dhe Ismajli në qendër, dhe Mitaj në të majtë.

Për portën trajneri Silvinjo ka pasur dilema, por balotazhin mes Berishës dhe Strakoshës mund ta fitojë i pari. Që të dy vijnë nga një sezon jo i mirë, ku kanë qëndruar në stol me klubet e tyre dhe nuk kanë formën optimale. Mungesa të rëndësishme të kuqezinjve në këtë sfidë janë edhe ato të Armando Brojës dhe Klaus Gjasulës.

Formacioni i mundshëm i Shqipërisë
Berisha (Strakosha)
Hysaj Ismajli Gjimshiti Mitaj
Bare Ramadani
Asani N.Bajrami Uzuni
Cikalleshi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë