Bota

Putin: NATO e përfshirë në luftë, disa armë bërthamore i kemi dërguar në Bjellorusi

Gazeta Si – Vladimir Putin, duke folur në forumin ekonomik të Shën Petersburgut, ka thënë se “ndryshimet botërore në të gjitha sferat nuk janë të përkohshme, por kardinale, të thella dhe të pakthyeshme”.

Ai tha se “disa armë bërthamore ruse, tashmë janë dorëzuar në Bjellorusi dhe pjesa tjetër do të transferohet deri në fund të vitit”, por theksoi se ato do të përdoren në front të luftës dhe jo ndaj qyteteve.

Presidenti rus shtoi gjithashtu se “kundërofensiva ukrainase nuk ka asnjë shans për sukses” dhe se “NATO po përfshihet në luftën në Ukrainë. Forcat e Kievit tani po sulmojnë në disa zona, ata kanë humbur disa tanke, luftimet vazhdojnë, por ata nuk kanë asnjë shans. Natyrisht, NATO është përfshirë në luftën në Ukrainë. Tanket e saj, ‘Leopard’ digjen dhe do të digjen edhe avionët F-16-të”.

Rusia, shton lideri rus, “nuk është e izoluar”, por nuk dëshiron marrëdhënie me ekonomitë “të politizuara”.

Duke komentuar ndikimin e sanksioneve, Putin kujtoi se “njerëzit thanë se do të ishim të izoluar, por përkundrazi, ne kemi krijuar marrëdhënie shumë më të mira sa i përket partnerëve tregtarë”.

Rusia nuk është e interesuar të zhvillojë marrëdhënie me partnerë që mbështesin “praktikat barbare” dhe që janë subjekt i ndikimeve “politike”.

“Rusia do të jetë një pjesë e rëndësishme e ekonomisë botërore”, siguroi kreu i Kremlinit.

“Ndryshimet në gjeopolitikë janë të pakthyeshme dhe ne po ecim përpara mbi bazën e një politike pragmatike dhe një marrëdhënie të përgjegjshme me partnerët e tregut”, shtoi ai.

Presidenti rus Vladimir Putin, gjatë samitit kërkoi nga të pranishmit një minutë heshtje në kujtim të Silvio Berlusconit, ish-kryeministrit Italian që ndërroi jetë disa ditë më parë pas problemeve shëndetësore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë