Treg

Kriza e pensioneve shtetërore në Shqipëri, siguruesit bëjnë apel për zhvillimin e tregut të privateve

Nga Gazeta ‘SI’ – Kriza e sistemit të pensioneve në Shqipëri ishte tema kryesore e Konferencës Rajonale për Pensionet Private që u zhvillua sot në Tiranë.

Elvis Ponari, kreu i shoqatës së Siguruesve të Jetës, Pensioneve dhe Fondeve të Investimit bëri thirrje në fjalën e tij për implementimin sa më të shpejtë dhe zhvillimin e pensioneve privatë, atë që quhet Kolona II, si zgjidhja më e mirë për krizën që po kalon Shqipëria. Ai tha se emigrimi i lartë dhe lindshmëria e ulët po vë në rrezik skemën e kontribuuesve dhe përfituesve.

“Kolona e Dytë është sigurimi i pensionit nga punësimi me financim kapital ku çdo i siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm shtetëror (Kolona e Parë) paguan një pjesë të kontributeve individuale në një fond privat pensionesh. Në këtë mënyrë, me plotësimin e kushteve për përfitim pensioni, të ardhurat e personave të siguruar përbëhen nga dy burime: një pension nga skema e sigurimit të detyrueshëm shtetëror dhe një pension nga skema e sigurimit të pensionit nga punësimin me financim kapital”, tha Ponari.

Kreu i shoqatës përmendi rastin e Europës si një sistem ku janë të zhvilluara të trija Kolonat e pensioneve, duke mundësuar të ardhura më të larta në moshën e pensioneve. 

Pas tij, fjalë e mori kreu i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hodo, që po ashtu kërkoi zhvillimin e mëtejshëm të pensioneve private, duke i quajtuar ato “komplementarë dhe jo konkurrentë”.

“Ne nuk jemi konkurrentë por komplementarë të njëra-tjetrës për të realizuar një kontribut të denjë për qytetarët. Atë që nuk realizojmë dot ne, e plotëson skema private dhe e kundërta duke realizuar një mbrojtje shoqërore të kënaqshme. A ka mundësi Shqipëria sot dhe a duhet të krijojë kolonën e dytë? Shpresoj që kjo konferencë ta bëjë këtë, të shtrojë si mund të bëhet, kur mund të bëhet sepse ky është një proces reformimi që kërkon një diskutim te gjerë, kërkon angazhimin e të gjithëve qe produkti të jetë gjithëpërfshirëse, e pranueshme nga të gjithë.”

Konferenca vijoi më pas me panelistë të tjerë, vendas dhe të huaj, të cilët diskutuan mbi mbrojtjen e investitorit, qëndrueshmërinë dhe reformën e pensioneve. Ndërsa të ftuarit nga Rajoni dhe Europa dhanë shembujt e tyre se si në këto vende janë implementuar skemat e pensioneve private.

Sot në Shqipëri operojnë 4 fonde pensionesh private, të cilat numërojnë mbi 37 mijë anëtarë dhe menaxhojnë një total asetesh prej afro 53 milionë eurosh. Këtë skemë e kanë përqafuar më pak se 3% e forcave të punës në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë