Drejtësia

Vrasja e Emiljano Ramazanit e Regis Runajt, SPAK kërkon 42 vite burg për autorët e dyshuar

Gazeta Si - Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënimin me 30 vite burg per Xhulio Hoxhën, i arrestuar për vrasjen e Regis Runajt dhe Emiljano Ramazanit në vitin 2020 në Elbasan.

Ndërsa për Euglen Halilajn, SPAK i kërkoi gjykatës dënimin me 12 vite heqje lirie, për shkak se ka bashkëpunuar me prokurorinë për të zbardhur ngjarjet.

Porositës i këtyre dy krimeve sipas SPAK është Erjon Alibej, tashmë në burg për disa akuza, çështja ndaj të cilit është ndarë nga dy të tjerët.

LEXO EDHE:
Roli i policisë te vrasja e Emiliano Ramazanit, arrestoi dy të pafajshëm që mos të zbuloheshin autorët e vërtetë

Zbardhja e dy vrasjeve u bë falë bashkëpunimit me drejtësinë të njërit prej të akuzuarve, Euglen Halilit i cili në dëshminë e tij është shprehur se Erion Alibej porositi dy vrasjet për shumën e 70 mijë eurove.

Emri i Alibejt del dhe në deklarimet e bëra nga Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj për dy vrasjet në fjalë.

Regis Runaj dhe Emiljano Ramazani ishin miq të ngushtë me njëri-tjetrin ndërsa u vranë njëri-pas tjetrit brenda pak ditësh në Elbasan.

Runaj u gjet i vdekur pranë varrezave në lagjen “Emin Matraxhiu” në  Elbasan mbrëmjen e 30 korrikut 2020.

Runaj është vrarë me thikë, ku në trup i janë gjetur 7 plagë të shkaktuara nga mjeti i mprehtë dhe më pas është hedhur buzë rrugës afër varrezave të qytetit, një rrugë qorre ku nuk kalojnë njerëz.

Kurse Emiljano Ramazani u ekzekutua  më 20 korrik të po atij viti, ndërsa po parkonte makinën e tij tip “Ford Focus” me targa AA 945 DG mes pallateve pranë vendit të quajtur “Rrethrrotullimi i luleve” në hyrje të qytetit të Elbasanit, kur një person iu afrua dhe e qëlloi për vdekje 5 herë me pistoletë nga xhami i pasagjerit.

Ndërkohë, babai i Regis Runajt ishte i pranishëm në seancë, ku kërkoi drejtësi.

Në dëshpërim, ai tha se pret që autorët e dyshuar të marrin dënimin e merituar.

“Jemi fukarenj, jemi njerëz të këputur, dua drejtësi për vrasjen e djalit. Gruaja ime është e sëmurë, shpesh e mbyll në dhomë, se kam frikë mos i ndodh diçka. Djalin ma vranë me 27 thika, u them këtyre çunave mua vetëm një thikë më duhet, që të shkoj tek im bir. Dua që këta dy çunat të marrin atë që meritojnë asnjë ditë më shumë. Çdo ditë rri në shkallë dhe pres djalin, por ai nuk vjen, më kuptoni dhe mua, ju i përqafoni fëmijët tuaj. Unë pres që djali të më kërkojë lekë për cigare”, - tha ai.

Vitin e kaluar, në kërkesën për prova, SPAK kërkoi pyetjen e 24 dëshmitarëve për këto ngjarje, mes të cilëve edhe Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj, të penduarit e drejtësisë në dosjen “Golden Bullet”.

Avokatët e të pandehurve pretenduan mospërputhje të deklarimeve të të penduarve Halili, Hoxhaj e Dumani për të njëjtat episode kriminale.

Në dëshminë e Nuredin Dumanit, vrasja është realizuar nga Skerdi Tase, i kontraktuar nga Dumani me porosi të Erjon Alibej dhe Arjan Spahiut.

Për këtë ngjarje u arrestuan nga policia Xhulio Hoxha dhe Euglent Halili, por një ditë më pas, në pranga u vunë edhe babë e bir të familjes Manahasa.

Në servisin e tyre në Peqin u gjet arma me të cilën ishte kryer ekzekutimi, por dyshimet janë se një gjë e tillë është bërë me qëllim për të shpërqendruar hetimet.

Sipas SPAK, vrasja e dy të rinjve dyshohet se ka ndodhur për larje hesapesh për drogën, por edhe pasi njëri prej tyre besohet se ka marrë pjesë si vëzhgues në të ashtuquajturën “masakra e Bradasheshit”, ku humbën jetën 3 persona, mes tyre edhe vëllai i Erjon Alibejt.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë