Njerez

Çiftet shqiptare birësojnë më shumë por të huajt kërkojnë fëmijë me probleme të rënda shëndetësore

“Prej shumë vitesh,  29 fëmijë janë në listë-pritje, 10 prej tyre janë (me probleme të ndryshme shëndetësore ose motra, vëllezër në moshë të madhe 2-3 fëmijë ).19 janë në moshë të madhe dhe me probleme të rënda shëndetësore. Kërkesat më të mëdha për birësime vijnë nga SHBA, Kanada, Francë dhe Itali. Por ka dhe çifte shqiptare brenda vendit apo që jetojnë jashtë, kryesisht në Itali që kërkojnë të birësojnë fëmijë romë. Mosha mesatare e çifteve të birësuara janë 45 vjeç, por ka dhe mosha 60 vjeç”.

Nga Gazeta Si - Në Shqipëri, në vitet 2013-2023 numri i birësimeve ka ardhur në ulje ndërsa kërkesat në rritje.

Në një prononcim për Gazetasi.al, psikologia në Komitetin Shqiptar të Birësimeve, Ina Musaj thotë se referuar të dhënave në dhjetëvjeçarin e fundit, shihet se bumi i birësimeve është regjistruar në vitet 2013, 2015 dhe 2018, ndërsa vitet e tjera trendi ka qenë i qëndrueshëm.

Sipas saj, përfshirë dhe vitin e pandemisë ku puna vijoi pa u ndalur me plotësimin e dosjeve për birësim dhe realizimin e 35 kërkesave, aktualisht janë 29 fëmijë të deklaruar të braktisur me vendim gjykate të moshave të ndryshme, kryesisht në moshë të madhe dhe me problematika të ndryshme shëndetësore që vijojnë të mbeten në listë-pritje prej shumë vitesh, pa mundur të gjejnë një familje birësuese.

“Në listë kanë mbetur 29 fëmijë, 10 prej të cilëve janë me probleme të ndryshme shëndetësore ose në moshë të madhe) dhe 19 janë me probleme të rënda shëndetësore. Për këta fëmijë nuk ka akoma një familje birësuese. Dua të theksoj se kemi shumë kërkesa nga çiftet shqiptare, por për këta fëmijë ndoshta pengesë është mosha. Kërkesat më të shumta janë për fëmijë deri në 1 vjeç ose të rritur mbi 10-vjeç që kërkohen nga italianët, sidomos për fëmijët rom që më shumti kërkohen nga Kanadaja”, thotë Musaj.

Dosjet e birësimeve, kërkesa dhe nga 60-vjeçarë

Sipas të dhënave të Komitetit Shqiptar të Birësimeve, në vitet e fundit vërehet rënie e numrit të fëmijëve të braktisur në maternitet. Duket se kjo statistikë lidhet direkt me abortet e shtatzanive të padëshiruara, ku të dhënat tregojnë rritje të tyre sidomos gjatë periudhës së pandemisë.

Psikologe Ina Musaj, thotë se ndër kërkesat për fëmijë, bien në sy ato të çifteve shqiptare të moshës 60-vjeç që kërkojnë të adoptojnë fëmijë.

“Ligji për birësimet ka një ngërç që nuk ka një limit për moshën. Por kriteri ynë është që fëmija dhe prindi që do ta birësojë, të kenë diferencë 18 vjet.  Por nëse plotësohen kushtet e tjera edhe moshës 60 -vjeç i është dhënë “OK” për birësim, (por me kushtin që fëmija të përshtatet me moshën e tyre)", thotë psikologia në Komitetin Shqiptar të Birësimeve. Sipas saj, fëmijët që përcaktohen për birësim, janë fëmijë të braktisur nga të dy prindërit dhe që janë lënë në institucionet publike të përkujdesjes. Por mes fëmijëve ka dhe jetimë socialë, që me dëshirën e prindit janë dërguar në institucionet e përkujdesjes, për shkak të gjendjes së varfër në familje.

Lezha, qyteti me numrin më të lartë të kërkesave

Të dhënat e dosjeve për birësim tregojnë një rritje të kërkesave brenda vendit të çifteve në raport me kërkesat jashtë vendit.

Sipas Komitetit Shqiptar të Birësimit, vendin e parë për kërkesa për birësim në Shqipëri e mban Lezha, e më pas Tirana dhe Durrësi, aty ku dhe numri i fëmijëve të braktisur nga prindërit biologjikë që jetojnë në institucionet e përkujdesjes është edhe më i lartë.

“Mentaliteti i çifteve ka ndryshuar shumë. Zakonisht vijnë çifte që i kanë provuar të gjitha format e ngjizjes në rrugë natyrale dhe artificiale. Midis tyre ka dhe mosha të mëdha, por e rëndësishme është që dosja që paraqesin të vlerësohet nga Këshilli Drejtues ku theksi vihet së pari tek të ardhurat, punë e siguruar me një pagë të mirë mujore, pra baza ekonomike, (shtëpia, pronësi me hipotekë në emër të aplikantëve birësues) por edhe marrëdhënia mes çiftit”, thotë Musaj.

SHBA dhe Franca, birësime humane

Kurse të huajt që duan të birëspjnë operojnë përmes agjencive të birësimit, ku vetëm në SHBA (1) dhe Itali (3) funksionojnë nga 3 të tilla që kanë një marrëveshje të shkruar me Komitetin Shqiptar të Birësimit.

Numri i kërkesave për birësim dhe realizimit të tyre nga çiftet e huaja mbetet relativisht më i ulët se kërkesat nga çiftet shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Por ajo çka vlerësohet është specifika e birësimeve nga çiftet e huaja.

Psikologia e Komitetit Shqiptar të Birësimeve, thotë se shtetet e mëdha si SHBA-të dhe Franca adoptojnë fëmijë me probleme të rënda shëndetësore.

“Nga SHBA na vijnë edhe kërkesa për fëmijë shqiptarë me aftësi të kufizuar, shkalla më e lartë e paaftësisë, fëmijë me sindromën down, autikë. Ndërsa në Francë është arritur të birësohen fëmijë me HIV. 3 vjet më parë u birësuan në Francë 2 fëmijë që kishin lindur me HIV. E kishin trashëguar virusin nga nëna, kurse Italia kërkon të birësojë fëmijë të komunitetit rom ose në moshë të madhe. Ndërsa Kanadaja kërkon fëmijë rom pa probleme shëndetësore”, thotë punonjësja e Komitetit shqiptar të Birësimit, Ina Musaj.

Musaj tregon se rasti më i fundit, ishte në dhjetor 2022, ku një vajzë rome 15-16-vjeç u birësua nga një familje italiane, megjithëse kishte motra e vëllezër.

“Ky është rasti i një fëmije jetim social që familja e ka lënë prej vitesh në institucion, por kontaktet ndër vite me familjen e kanë vonuar birësimin, por vajza vitin e kaluar firmosi me dëshirë të birësohet jashtë shtetit”, vijon ajo.

Birësime në total

2013- 90 kërkesa për birësim, 47 të realizuara

2014- 48 kërkesa, 67 të realizuara

2015- 69 kërkesa, 54 të realizuara

2016- 34 të realizuara

2017- 43 të realizuara

2018- 48 kërkesa, 38 të realizuara

2019- 26 kërkesa, 26 të realizuara

2020- 40 kërkesa, 26 të realizuara

2021- 40 kërkesa,19 të realizuara

2022- 46 kërkesa, 35 të realizuara


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë