Gazeta Si – Mesfushori Qazim Laçi dhe sulmuesi Ernest Muçi ishin dy lojtarët e zgjedhur nga stafi i Kombëtares për të dalë në konferencë shtypi sot.
Qazim Laçi, kampion në Çeki me Spartën e Pragës, ka theksuar se fitorja është detyrim për kuqezinjtë ndaj Moldavisë. “Shqipëria i ka të gjitha, nuk mungon asgjë dhe ne do të japim maksimumin në të gjitha ndeshjet eliminatore që kanë mbetur, duke nisur nga kjo me Moldavinë. Fundi i sezonit? Jemi profesionistë, nuk është hera e parë që na ndodh.
Jemi gati për Moldavinë, kemi lojtarë që luajnë në kampionatet më të mira në botë. E dimë që duhet të fitojmë patjetër. Ka një dëshirë të madhe nga të gjithë lojtarët për të ecur sa më lart me Kombëtaren.
Atmosfera është shumë e mirë dhe mendoj se ajo do të bëjë diferencën. Trajneri Silvinjo na përcjell shumë pozitivitet në stërvitje. Kemi shumë nevojë për tifozët, është ndeshja e parë para tyre dhe do të jetë shumë e rëndësishme fitorja”, – tha Laçi.
“Ëndrra jonë dhe qëllimi ynë është që të marrim pjesë në Europian. Luajmë ndeshjen e parë në fushën tonë dhe duhet të marrim maksimumin para tifozëve. Kemi një grup shumë të mirë dhe duhet të besojmë deri në fund për të shkuar në Europian, sepse kemi një skuadër me cilësi”, – theksoi sulmuesi Muçi, që luan me Legian e Varshëvës në Poloni.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




