Saimir Korreshi ishte një nga deputetët dhe anëtarët e kryesisë së PD, që akuzoi se ishin mbështetës të Lulzim Bashës që ushtruan dhunë verbale ndaj tyre pasi nuk ishin dakord që kryetari të zgjidhej në fund të muajit korrik.
“Janë mbështetës të Lulzim Bashës, më dukej e koordinuar, se nga e dinin ata mendimet tona. Nuk e di pse duhet të ishin aty dhe të dëgjonin mbledhjet e Kryesisë. Mu duk sikur më kishin ftuar për bukë në shtëpi dhe më bënë pritë, nuk kishte frikë, por të hahesh me dhëmbë në shtëpinë tënde, kush iu ndërseu ndaj nesh. Ishte një 8 janar i dytë që nuk duhet të ndodhte, kush e bën këtë, po e rrënon PD”, u shpreh Korreshi të mërkurën.
Një ditë më pas, të enjten, Lulzim Basha mohoi dhunën madje tha se nuk kishte pare as videot që qarkulluan në gjithë mediat.
Me qetësinë e tij, ai është futur në Kuvend ku ka përshëndetur deputetët duke i dhënë dorën më pas edhe Korreshit ashtu dhe deputetit tjetër Sula të cilët gjendeshin në atë radhë tavoline.
Por kamerat kanë kapur vetëm pak sekonda më pas një replikë mes tyre, pa u kuptuar se çfarë. Ajo që duket nga video është se Korreshi pas shkëmbimit fare të shkurtër të bisedës me Bashën është larguar nga salla ashtu si edhe Sula.
Më pas ata janë fotografuar në kafenenë e Kuvendit duke zhvilluar një bisedë mes tyre ku kane qenë të pranishëm edhe deputetë të tjerë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.