Nga Gazeta ‘SI’ – Konfederata e Industrive në Shqipëri, Konfindustria ka bërë një analizë ku shpjegon se pse shfuqizimi i Bordit të Transparencës nuk do të ulë çmimin e karburanteve, madje mund t’i përkeqësojë ato.
Fillimisht, konfederata thotë se çmimi në këtë treg nuk mund të ulet sepse aty nuk ka konkurrencë që të udhëzojë tregun, por ka oligopole dhe marrëveshje kartel.
“Mungesë e qartë e standardeve të konkurrencës vërehen sidomos në pjesë të caktuara të zinxhirit tregtar si shërbimet portuale, të depozitimit dhe të tregtisë me shumicë të karburanteve”, thuhet në deklaratë.
Konfindustria përsërit kërkesën e bërë edhe më herët për qeverisë shqiptare, krijimin e një enti rregullator për karburantet, si në rajon.
Në analizë përmendet dhe kontrabanda masive e naftës me një vlerë vjetore 300 mln dollarë dhe vjedhjet në pikat e shitjes, që ulin cilësinë e lëndës dhe sigurisht rrisin kostot për qytetarët.
Konfederata vazhdon deklaratën e saj duke bërë një krahasim me çmimet e naftës në Shqipëri dhe rajon.
“Shqipëria ka çmimet e karburanteve nga më të larta në nivel kontinenti dhe më gjerë. P.sh në Maqedoninë e Veriut, ku funksionon agjencia rregullatore e karburanteve, çmimi i naftës është 124 lekë/litër, ndërkohë që në Shqipëri është 176 lekë/litër d.m.th mbi 15-20 lekë/litër më shtrenjtë, marrë parasysh edhe ngarkesën fiskale”, përfundon Konfindustria.
Më herët, kreu i këtij institucioni, Gjergji Buxhuku kritikoi përballë qeverinë për menaxhimin e tregut të karburantëve duke thënë se nëse ulet kontrabanda dhe barra fiskale e tyre, jo vetëm që përballohet, por del edhe me fitim.
Tregu i karburanteve ka qarkullim vjetor në mbi 11% të PPB me mbi 1.5 miliard $/vit, duke qenë nga më të mëdhenj të ekonomisë shqiptare.
Bordi i Transparencës u shfuqizua një ditë më parë me vendim të Këshillit të Ministrave, me arsyetimin e stabilizimit të çmimeve të hidrokarbureve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




