Rend dhe Ligj

Vrasja e Mimoza Pajës në ‘Don Bosko’, i përfshirë në ngjarje dyshohet Nikoll Sherrniku (që është në burg)

Gazeta Si - Nikoll Sherrniku, në burg për disa vepra penale, del i përfshirë në hetimet për atentatin në “Don Bosko” më 12 mars të këtij viti, ku humbi jetën banakierja Mimoza Paja.

Policia ka njoftuar se të riut i është komunikuar akuza në qeli, pasi u arrestua në gusht të vitit të kaluar për një atentat që ishte planifikuar të bëhej në Lezhë.

Por Sherrniku ka qenë i arrestuar edhe më herët për vrasjen e efektivit të FNSH-së, Xhulio Prela.

Sipas hetimeve rezulton se Sherrniku ka siguruar kushtet dhe mjetet materiale për ngjarjen e rëndë ku humbi jetën banakierja Mimoza Paja dhe u plagosën 6 persona të tjerë. Lokali ndaj të cilëve u qëllua ishte në pronësi të vëllezërve Murati.

Nikoll Sherrniku, të gjitha materialet që janë përdorur për vrasjen më 12 mars të këtij viti i ka siguruar para se të arrestohej në 18 gusht 2022.

“Sot më datë 07.06.2023 u bë ekzekutimi i vendimit Nr. 1220 datë 07.06.2023 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë e cila ka vendosur caktimin e masës të sigurimit personal atë të “Arrest në burg“ ndaj personit nën hetim Nikoll Sherrniku, 28 vjeç, lindur dhe banues në Fushë – Kuqe, Laç, (aktualisht nën hetim me masën e sigurisë “Arrest në burg” edhe për vepra të tjera penale) si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje””, njoftoi policia.

Targat

Ai ka marrë disa targa të huaja në Gjermani dhe i sillte për t’i përdorur për atentate nga persona të tjerë. Këta të fundit, pasi i merrnin, i përdornin në ngjarje të ndryshme. Njëra prej targave të sjella nga Sherrniku, është përdorur për atentatin në 'Don Bosko'.

“Këto veprime konsistojnë në marrjen e targave të huaja ne shtetin gjerman, sjelljen e tyre në Shqipëri, dhe vënien në dispozicion të këtyre targave personave të tretë (autorëve), të cilët më pas i kanë ruajtur dhe përdorur këto targa në një automjet tip “BMË” seria 5, ditën e ngjarjes. Automjeti tip “BMË”, sëbashku me targat gjermane, është gjetur i djegur në fshatin Likmetaj, Manëz, Durrës”, njoftoi policia.

Sipas uniformave blu në funksion të këtij procedimi janë kryer veprime të shumta hetimore dhe ekzekutuar letër-porositë në Gjermani dhe në Kosovë.

Vrasja e policit

Nikoll Sherrniku është vënë në prangat e policies fillimisht që në 20 dhjetor të vitit 2020.

Ai u akuzua për vrasjen e efektivit të FNSH-së, Xhulio Prela, ngjarje e ndodhur mëngjesin e datës 5 dhjetor.

Dyshimet janë se Sherrniku, së bashku me shokun e tij Brilant Martinaj e ekzekutuan policin pas një sherri për motive banale. Kujtojmë se Brilant Martinaj u vra në një atentat në mbikalimin e Fushë-Krujës.

Mes dy autorëve dhe Xhulio Prelës ka pasur një përplasje verbale. Shkak mendohet se kanë qenë dritat e gjata të makinës, por ende nuk dihet se cili prej personave e nisi konfliktin.

Ngjarja në “Don Bosko”

Mbrëmjen e 12 marsit, persona ende të paidentifikuar u pozicionuan para lokalit të familjes Murati në rrugën “Anastas Shundi” dhe hapën zjarr drejt tavolinës ku ishte ulur vëllai i Fation Muratit, xhaxhai dhe kushëriri i tij, duke qëlluar se paku 15 plumba kallashnikovi.

Këto të shtëna rezultuan fatale për 58-vjeçaren Mimoza Paja, e cila punonte si banakiere në këtë lokal për të mbajtur familjen.

Ndërsa të plagosur mbeten xhaxhai i Fatjon Muratit si dhe 4 klientë që u gjendën rastësisht në vendin e ngjarjes. Ndërsa i vëllai dhe kushëriri nuk pësuan lëndime.

Pas ngjarjes në afërsi të fshatit Bubq autorët braktisën makinën tip “BMË”, së bashku me armët e krimit në të dhe i vunë flakën. Makina rezulton e vjedhur para 2 vitesh në Durrës.

Dyshimet

Këtë sulm brutal, policia e lidh me të shkuarën e pronarit të lokalit, i cili në momentin e ngjarjes duhet të ishte në “arrest shtëpie”, por që rezulton se e ka thyer.

Ai u kap nga policia e Tiranës në tetor të vitit të kaluar në shoqëri të Indrit Dokles duke lëvizur me makinë të blinduar.

Më pas u vu në pranga pasi rezultonte i implikuar në rastet e dy bazave të armatimit që u zbuluan në Tiranë dhe më herët për to ishte arrestuar Kristian Gjini.

Shoqërimin e Muratit, policia e kishte kërkuar edhe pas atentatit në mbikalimin e Fushë Krujës më 17 korrik ku humbi jetën Brilant Martini, Dikler Vata e Besmir Hoxha, pasi sipas policisë ai ishte person që mund te kishte dijeni për ngjarjen.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë