Nga Gazeta ‘Si’-Pas mbledhjes së qeverisë, ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj në një komunikim për mediat theksoi se sot është marrë vendimi për shfuqizimin e bordit të hidrokarbureve.
“Me fillimin e krizës së çmimeve qeveria shqiptare ngriti një bord të transparencës për kontrollin e çmimeve të hidrokarbureve. Që prej asaj kohe çmimet kanë pasur luhatje të mëdha. Ne përcaktuam nëpërmjet një akti normativ disa marzhe fitime që nuk mund të ndryshonin me qëllim limitimin sa më shumë të ishte e mundur të spekulimeve me çmimet e hidrokarbureve.
Gjatë tremujorit të parë kemi ndjekur zhvillimet e tregut dhe themi që tregjet janë stabilizuar në çmimet që ishin përpara krizës në 2021.
Bazuar edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e la në fuqi, ne vendosëm, për shfuqizimin e bordit të hidrokarbureve dhe situatës së veçantë në këtë treg”, deklaroi Ibrahimaj.
Ajo gjithashtu njoftoi edhe masat e marra për t’u ardhur në ndihmë eksportuesve të cilët kanë pësuar humbje të mëdha nga zhvlerësimi i monedhës së euros përballë lekut.
Ibrahimaj tha se deri në mars të vitit të ardhshëm, eksportuesit nuk do të paguajnë tatim mbi fitimin.
“Gjatë muajit të kaluar kemi pasur disa takime me shoqatën e eksportuesve ku janë diskutuar ndërhyrjet potenciale që mund të zbatohen për t’u ardhur në ndihmë. Ajo që ka ndodhur është që ato biznese që punojnë me kontrata porositëse, tani gjenden në situatën ku shpenzimet i kanë në lekë dhe të ardhurat në euro.
Një nga masat që do merret është shtyrja e afatit të kësteve të tatimit mbi fitimin deri në mars të vitit të ardhshëm kur bizneset mbyllin bilancet. Subjektet që janë eksportues dhe eksportojnë mbi 70% të nuk do parapaguajnë këstet e tatim fitimit deri në mars kur do të bëjnë bilancin.
Kjo vjen si mbështetje për mungesën e likuiditetit që bizneset kanë në treg pas forcimit të lekut”, tha Ibrahimaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




