Gazeta Si - Petrit Ismaili, avokati i Vangjush Dakos, ish-kryebashkiakut të Durrësit që u arrestua sot me urdhër të SPAK-ut, dha një deklaratë për mediat në mbrëmje. Ai e konsideron të panevojshme masën e “arrestit me burg” ndaj klientit të tij.
“Sapo u ekzekutua vendimi i GJKKO, që ka vendosur arrest me burg për Dakon. Akuza është një shpërdorim detyre në dy raste. Një rast është kallëzim i një grupi banorësh të një pallati, që pretendojnë se ka patur shkelje në kolaudim. Një kallëzim është nga Ferdinand Xhaferri në prag të zgjedhjeve 2021.
SPAK nuk po mban dot ekuilibër nën trysninë mediatike dhe të politikës e ndërkombëtarëve. Në këtë trysni po merr masa të nxituara. Gjykoj se nuk ka qenë e nevojshme masa e arrestit me burg. Nuk ka shkuar policia në banesën e Dakos, ai ishte në Tiranë. Jemi në kushtet e vetëdorëzimit.
Bëhet fjalë për vendime kolegjiale, jo vendime vetëm të Dakos. Unë di se bëhet fjalë për një pallat me leje ndërtimi të rregullt të dhënë nga bashkia”, - tha avokati i Vangjush Dakos, Petrit Ismaili
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.