Treg

Skema e naftës falas/ 19.4 mijë fermerë kanë përfituar deri tani

Nga Gazeta ‘SI’ – 19.412 fermerë kanë përfituar naftë falas nga skema kombëtare e Mbështetjes së qeverisë, rreth 35% e aplikantëve.

Fituesit janë pajisur me kartën e naftës, që i ofron atyre akses në skemë, për të tërhequr naftën. Ata përfitojnë mesatarisht 70-100 litra naftë falas për çdo hektar tokë të mbjellë, në varësi të kulturave bujqësore. Sasia e naftës së përcaktuar sipas ministrisë së Bujqësisë mund të tërhiqet deri në datën 31 dhjetor 2023.

Sipas të dhënave nga ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, krahasuar me vitin 2021, këtë vit numri i aplikantëve në skemën e naftës pa taksa për bujqësinë është rritur në 50 mijë nga 20 mijë aplikantë që ishin një vit më parë.

Me naftë falas, ministria nënkupton naftë të përfituar pa taksë, pra me çmim të reduktuar.

Në total fondi për skemën kombëtare të bujqësisë është 3.3 miliardë lekë. Për rimbursimin e naftës falas për fazën e parë është vënë në dispozicion fondi me vlerë 1.4 miliardë lekë.

Skema për përfitimin e naftës falas filloi zbatimin për herë të parë në 2021. Në total aplikimet për përfitimin e kësaj mase ishin 54.691 nga 46.912 aplikime që pati në 2022. Për naftën falas më shumë aplikime këtë vit pati në qarkun Fier me 16.897 kërkesa dhe Korçë me përkatësisht 10.974, Berat 6.878 aplikime, për qarkun Elbasan pati 6.696.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë