Politike

“Lleshaj”, Rama: Meta ka dy rrugë, dekretin ose…dekretin

Kryeministri Edi Rama i la dy rrugë si zgjidhje Ilir Metës dhe që të dyja çojnë në të njëjtin rezultat: dekretimin e Sander Lleshajt si ministër i Brendshëm.

“Presidentit i është dhënë mundësia të kërkojë tërheqjen e Sandër Lleshajt nga çdo lloj statusi publik, ose nëse nuk pajtohet me të, do të ushtrojë si president çdo kompetencë për ta çdekretuar Sandër Lleshin dhe për ta dekretuar sërish. Një ushtarak aktiv, s’mund të ushtrojë detyën e ministrit, por fare mirë tërhiqet nga statusi i tij, në momentin kur vendoset si ministrër. I kemi dhënë mundësinë të zgjedhë çfarë të dojë. Në të dyja rastet, këto të dyja çojnë tek dekretimi i ministrit të Brendshëm”, deklaroi Rama i ftuar në emisionin Repolitix në Report Tv.

Megjithatë, Rama u shpreh optimist se Meta do ta dekretojë, megjithëse la të kuptohet se Presidenti po ndikohet në opozita në vendimet e tij.

“Kam besim se presidenti do të arrijë në përfundimin e duhur. Ajo që ndodhi me vendimin e tij për të mos marrë vendim, do të kalojë dhe Presidenti do e dekretojë ministrin e Brendshëm. Uroj që realisht Meta të ketë shqetësimin që ka shprehur dhe të mos jetë viktimë e trazirës morale e psikologjike e opozitës që mund të ketë influencë mbi të, për të patur një rol destruktiv”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri mohoi se ndërhyn drejtpërdrejtë në punën e policisë.

“As jam marrë, as kam ndërmend të merrem. S’është gjykimi dhe zgjedhja ime në zgjedhjen e drejtorin. Nga viti 2014 e deri më sot policia ka bërë një punë shumë të mirë”, deklaroi Rama.

Rama konfirmoi tërthorazi se akuzat e opozitës për Vangjush Dakon e kanë vendosur në pikëpyetje kandidaturën e këtij të fundit për kryetar të Bashkisë së Durrësit. “Nuk kemi vendosur ende”, deklaroi ai.

I pyetur për situatën e kriminalitetit, Kryeministri shmangu çdo përgjegjësi të qeverisë që drejton. “Le të hanë kokat e njëri-tjetrit”, u shpreh ai.

Një prej protestave që po përballet aktualisht kabineti i tij është ajo e banorëve të zonës së “Unazës së Re”. Rama tha se nuk e merr lehtë protestën, por nuk u jep të drejtë protestuesve.

“Në vitin 2018 akoma diskutohet në Tiranë, se mund t’i imponohesh me forcë interesit publik, kundër ligjit dhe të ardhmes së qytetit, është e kotë të diskutojmë. Unaza e Madhe është e domosdoshme. Ka familje dhe biznese siç ka pasur kudo, por ka prevaluar interesi publik. Do hapet rruga se do bëhet rruga për të gjithë. Këtë debat e kam zgjidhur që në vitin 2000. E kam dhënë përgjigjen, s’dua të jem joeti”, u shpreh ai.

Kryeministri u qëndroi deklaratave për zhvendosjen e statujës së Shqiponjës nga rruga hyrëse e Tiranës, ndërsa mbrojti qëndrimin e qeverisë për rastin e Kaçifas.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë